Organizatat civile këto ditë po përfundojnë përgatitjet për vëzhgimin e procesit të referendumit. Ndonëse akoma nuk kanë përcaktuar shifrën e saktë të vëzhguesve që do të angazhojnë, MOST dhe CIVIL veçmë kanë filluar të monitorojnë punën e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Madje CIVIL numëron disa parregullsi që ka evidentuar në funksionimin e këtij institucioni më të lartë zgjedhor.

Asociacioni qytetar MOST gjithsesi se është i përgatitur për vëzhgim. Po rrjedhin përgatitjet për angazhimin e njerëzve. Do të vëzhgohet i gjithë procesi. Tashmë kemi filluar të vëzhgojmë punën e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, e cila tashmë ka mbajtur dy seanca, ndërsa së shpejti do të angazhohen edhe vëzhguesit e parë rajonal që do ta ndjekin kampanjën për referendumin”- deklaroi  Zllatko Dimitrioski nga MOST . 

KSHZ-ja është konstituuar shumë vonë. Vetë procesi i konstituimit të KSHZ-së është shumë problematik, këtë e kemi thënë në disa paraqitje në opinion. Gjithashtu shohim se aktiviteti i parë i KSHZ-së është të bëjë pazar dhe të prokurojë softuerë krejtësisht të rinj e mobilje. Të shohim se si do të qëndrojnë me telefonat celularë, me kompjuterët personalë dhe kështu me radhë. Mendoj se ky është problem, sepse është institucioni më i lartë që duhet të kujdeset për të drejtën e votës dhe zbatimin e rregulltë të referendumit”- tha Xhabir Deralla nga CIVIL .

Xhabir Deralla nga CIVIL shton se problemet më të mëdha me të cilat përballemi dhe do të përballemi në periudhën në vijim janë: lajmet e rrejshme dhe keqpërdorimi i skajshëm i referendumit për thellim të mëtejshëm të dallimeve, promovim të nacionalizmit ekstrem dhe dhunës.

Megjithatë unë shpresoj se institucionet sa më parë do të fillojnë të funksionojnë në drejtim të mbrojtjes së të drejtës së votës së qytetarëve, pra ta largojnë politikën nga qytetaria, respektivisht as partitë politike, as Qeveria, as institucionet nuk kanë çfarë të bëjnë me atë se a do të vendos dikush të votojë kundër apo pro”- theksoi Xhabir Deralla, nga CIVIL.

Ashtu si për ciklet zgjedhore edhe për referendumin pritet të angazhohen vëzhgues nga partitë politike, organizatat ndërkombëtare sikurse Këshilli i Evropës dhe OSBE/ODIHR si dhe vëzhgues të pavarur.

Anesa Salihu

Shpërndaj me