Të gjitha kompanitë që janë të interesuara për të investuar në centralet me energji diellore në tokë shtetërore, kanë afat deri në mes të gushtit t’i paraqesin ofertat e tyre. Me shpalljen e tenderit sot, filloi gara për dhënien e primeve shtetërore për ndërtimin e centraleve fotovoltaike në parcelat shtetërore. Tenderi i referohet tokës në Sveti Nikollë dhe Makedonski Brod me një kapacitet total prej 35 megavat. Prej tyre, 10 megavat janë paraparë për në Makedonski Brod dhe 25 megavat në Sveti Nikollë, të ndara në parcela me investime nga 1 deri në 10 megavat për investitorë të mëdhenj dhe të vegjël. Energjinë elektrike prej 35 megavat të cilën do ta prodhojnë këto fotovoltaikë duhet ta mbulojnë konsumin për dy qytete, me madhësinë e Strugës. Zëvendëskryeministri Koço Angjushev i cili sot para investitorëve potencial i paraqiti kushtet e tenderit tha se parcelën do ta merr ai që do të kërkojë subvencionim më të ulët nga shteti.

Sa u përket investimeve, nëse merrni parasysh se vetëm pajisjet për një megavat fuqi të instaluar për momentin është në mes 600 dhe 700 mijë euro me punët ndërtimore, do të prisja një cikël investimesh prej 50 milion eurosh – u shpreh Koço Angjushev, Zëvendëskryeministër.

Investitorët që do t’i marrin lokacionet do të duhet të përgatisin një elaborat dhe projekt themelor për të marrë leje ndërtimi. Ky është tenderi i parë nga vendet e planifikuara për 200 megavat për centrale diellore në të gjithë vendin. Nga buxheti për këtë qëllim parashihen katër milionë euro në vit. Sasitë e para të energjisë elektrike pritet që në sistem të futen pranverën e ardhshme. Zëvendëskryeministri gjithashtu informoi se me EVN tashmë janë dakorduar për çmimin për kyçje në rrjet që do të jetë prej 20.000 deri në 30.000 euro. Sipas llogaritjeve, me një megavat të prodhuar energji elektrike, mund të përmbushet nevoja e rreth 1.000 familjeve.

Aleksandra Spasevska 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...