Buxhet real për investime në kapitalin njerëzor, e jo për blerjen e votave para zgjedhjeve. Kështu sot pushteti e paralajmëroi propozim-buxhetin për vitin 2020. Qeveria planifikon të shpenzojë 3.9 miliardë euro, ndërsa nga qytetarët do grumbullojë 3.6 miliardë euro. Rritja e ekonomisë për vitin e ardhshëm është projektuar në 3.8%, ndërsa deficiti në 2.3% dhe do të financohet me borxhe nga vendet e huaja.

Buxhet real, buxhet që i detekton problemet dhe i alokon paratë prapë tek qytetarët, atje ku do japin më shumë efekt dhe rezultate më të mira. Buxhetin për vitin 2020 në kuadër të politikave fiskale e destinuam drejtë njerëzve dhe drejtë përmirësimit të kushteve ku njerëzit do munden të plotësojnë më shumë nga potenciali i tyre- deklaroi Nina Angellovska, ministre e financave.

Sipas Institutit për hulumtime financiare Finance Think, mirë është të investohet në kapital njerëzor, por rritja e rrogave patjetër të bëhet paralelisht me rritjen e produktivitetit.

Pjesa e rrogave që rritet në arsim dhe shëndetësi është korrekte dhe vlerësojmë se ato sektorë duhet të jenë prioritet, si fuqi lëvizëse e rritjes ekonomike. Por rritja e përgjithshme e rrogave në administratën publike në të ardhmen patjetër duhet të kihet kujdes në rritjen lineare të rrogave- tha Bllagica Petrevski, Finance Think.

Me buxhetin për vitin 2020 siç mësoi paraprakisht Alsat është paraparë edhe rritja e pensioneve prej 700 deri 900 denarë. Nga buxheti për Fondin pensional për vitin e ardhshëm është ndarë shuma rekorde prej gjysmë miliardë eurosh, edhe pse nga Qeveria siguronin se Fondi pensional është stabil dhe se deficiti po zvogëlohet. Por, numrat tregojnë se paratë e nevojshme janë rritur për 40 milionë euro, pikërisht aq sa nevojiten të paguhen diçka mbi 700 denarë për 324 mijë pensionistë.

Ky është sukses serioz, rritim pensione deri 900 denarë për pensionist prej të cilave 730 janë rritje lineare dhe absolutisht kemi sukses dhe performanse të suksesshme. Ja llogaria përfundimtare, të ardhurat nga buxheti qendror në Fondin pensional është 29 miliardë e 398 milionë në vitin 2018, për vitin 2020 është 30 miliardë e 498 milionë denarë- pohoi Zoran Zae.

Nga Finance think thonë se rritja e pensioneve jashtë afatit të përcaktuar ligjor do ishte rrezik për rritje të serishme të deficitit.

Në këtë mënyrë Qeveria duhet të dërgojë porosi për zbatim të përpiktë të reformës pensionale dhe të shmanget çfarëdo lloj rritje e pa planifikuar e pensioneve. Sepse nga ana tjetër në këtë mënyrë rriten dhe krijohen pritje tek pensionistët edhe përkundër një zgjedhjeje të këtillë ad hok, rritje më të madhe nga maksimumi i caktuar ligjor mund të mos i arrijë efektet që priteshin me reformën pensionale. Gjegjësisht, kjo mund të thotë deficiti i sistemit pensional edhe më tej mund të stagnojë ose sërish të ketë efekt negativ apo rritje të deficitit- shtoi Bllagica Petrevski.

Vitin e ardhshëm Qeveria planifikon të marrë borxh prej thuajse 1 miliardë euro, 650 milionë prej të cilave nga tregu i huaj, ndërsa 440 milionë brenda vendit. Propozim-buxheti për vitin 2020 do të dorëzohet në Kuvend.

Andrea Çobanova 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...