Kuvendi e filloi debatin rreth Propozim-buxhetit të plotësuar për vitin 2020. Propozimi i plotësuar i përmban 12 amendamentet e pranuara gjatë debatit në Komisionin për financim dhe buxhet. Në fokus të Buxhetit në vitin 2020 janë investimet në kapitalin njerëzor. Para deputetëve Buxhetin e elaboroi ministrja e Financave, Nina Angellovska. Për shumicën, Buxheti për vitin e ardhshëm është zhvillimor, me mjete të orientuara drejt projekteve nga programi dhe interesat e qytetarëve. Për opozitën, ai është social, populist dhe parazgjedhor.

Të ardhurat në Propozim-buxhetin për vitin 2020 janë projektuar në 222 miliardë e 300 milionë denarë (3 miliardë e 615 milionë euro), që paraqet rritje prej 5,6 për qind krahasuar me këtë vit. Tek shpenzimet në Buxhet është planifikuar rritje prej pesë për qind në krahasim me vitin e kaluar, me çka shpenzimet e përgjithshme paraqesin 239 miliardë e 700 milionë denarë, përkatësisht tre miliardë e 898 milionë euro.

Deficiti buxhetor për vitin 2020 është parashikuar në nivel prej 2,3 për qind të BPV-së, që është më i ulët se niveli në vitin 2019 kur paraqiste 2,5 për qind, në pajtim me Strategjinë fiskale 2020-2022, si dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.

Deficiti është pakësuar dhe në nivel absolut për 160 milionë denarë, dhe paraqet 17 miliardë e 385 milionë denarë.

Ministrja e Financave, Nina Angellovska theksoi se në fokus të Buxhetit për vitin e ardhshëm është kapitali njerëzor, përkatësisht sistemi më i mirë shëndetësor, arsimor dhe social dhe mbështetje e fuqishme për rritje të sektorit real.

“Buxheti 2020 mban moton ‘Investojmë në kapitalin njerëzor’ sepse kapitali njerëzor është më i rëndësishmi për zhvillimin ekonomik të një vendi. Vetëm më të lumtur dhe më të motivuar në vendet e tyre të punës mund ta japin maksimumin e tyre, ndërkaq edhe të mbeten ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, sepse shtëpia është shtëpi”, theksoi ministrja.

Ajo shtoi se në atë drejtim buxheti 2020 seriozisht është orientuar drejt tre shtyllave themelore për zhvillimin e tij, do të investojmë në shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë, kujdes social më të mirë, dhe në përgjithësi kushte më të mira për jetë të qytetarëve tanë.

Investimet kapitale në buxhet janë projektuar në nivel prej 23 miliardë denarëve, ndërsa 56 për qind nga shpenzimet e përgjithshme buxhetore do të shkojnë në sfera mbi të cilat mbështetet kapitali njerëzor.

Projeksionet në Buxhet janë bërë në bazë të rritjeve të parapara për vitin e ardhshëm prej 3,8 për qind të BPV-së, që bazohet në rritjen e konsumit privat, eksportin dhe investimet publike dhe private.

Në debat, Liljana Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE e vlerësoi si social, populist, parazgjedhor dhe i cili nuk është Buxhet i orientuar drejt kapitalit njerëzor.

Bashkëpartiaku i saj dhe koordinator i grupit të deputetëve, Nikolla Micevski theksoi se sot para tyre ka buxhet populist, joreal, i bazuar, siç tha, në vetëm një bazë, e ajo është se kemi zgjedhje më 12 prill dhe duhet “qytetarët t’i joshim me gjëra të tjera përveç realitetit në Republikën e Maqedonisë, nga ajo që qytetarët çdo ditë e jetojnë” dhe kjo qeveri, që të dalë nga tërë kjo situatë gjeti një modus, sllogan “Investojmë në kapital njerëzor”.

Sipas tij, të gjitha masat populiste për rritje të rrogave, pensioneve, që me shkathtësi po tregohen si investim në kapitalin njerëzor, por bëhen për tërheqjen e më shumë votave në konto të tyre gjatë zgjedhjeve.

Micevski theksoi se Buxheti për vitin 2020, përveç që është ryshfet tipik parazgjedhor, ka edhe shpenzime joreale tatimore.

Mjetet, porositi ai, duhet të orientohen drejt masave afatgjate, të cilat do ta rrisin produktivitetin dhe kapacitetin e ndërmarrjeve dhe në atë mënyrë të vihet deri te gjendja për rritje të rrogave.

Për Kostadin Kostadinov nga LSDM, buxheti nuk është populist, por planifikim normal i mjeteve financiare dhe vënie e mjeteve në atë që është nga programi dhe interes i qytetarëve.

Ai potencoi se për dallim nga VMRO-DPMNE, e cila 11 vite nuk investoi në kapitalin njerëzor.

Dime Vellkovski nga LSDM theksoi se për herë të parë po investohen më shumë mjete nga vitet e kaluara dhe se Buxheti është zhvillimor me atë që ka 38 miliardë në shëndetësi, 36 miliardë në arsim dhe 88 miliardë në mbrojtje sociale.

Debati rreth buxhetit në pajtim me Rregulloren e Kuvendit duhet të zgjasë më së shumti pesë ditë pune.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...