Pas intervistimit që i ka bërë Policia e Kosovës, deputetja e PDK-së, Flora Brovina ka kërkuar falje për fotografinë që e prezantoi një ditë më parë, ku tha se në të janë serbët teksa dhunojnë një grua shqiptare para familjes së saj. Brovina tha se ndjehet fajtore që nuk e ka verifikuar fotografinë para se ta bënte publike. Deputetja e PDK-së një ditë ma parë tha se fotografia është gjetur në aparatin e një ushtari serb, ndërsa sot tregoi version tjetër. Ajo para gazetarëve tha se fotografinë në vitin 2003 ia ka dhënë Mevlude Saraqi, ish-deputete e LDK-së,  e cila në atë kohë ka qenë nënkryetare e Komisionit për Personat të Zhdukur.

Edhe njëherë u kërkoj falje të gjithë atyre dhe qëndroj edhe për fajësinë time, që ndoshta nuk e kam verifikuar dokumentin e fundit edhe njëherë. Realisht kam pasur informatën e saktë prej këtyre dy personave me të cilët e kemi ndarë të vërtetën. Kam pa se vërtet ngjarja ka ndodh diku në Dukagjin. Personi në fjalë ka qenë aktivist I Këshillit të të drejtave të njeriut. Emrin nuk ia di, sepse e kam harruar. Ndërsa nënkryetarja e Komisionit ka qenë  Mevlude Saraçi, e cila ma ka sjellë zarfin. Dhe më ka thënë se ajo grua është 35 vjeçare dhe e din rastin.  Ndërkaq, personi që ka komunikuar në telefon me mua ka thënë se… unë e kam pyetur se a mund ta përdor këtë foto, më ka thënë “ po, po, e kam verifikimin”-tha Flora Brovina, deputete e PDK-së.

Edhe pse Brovina tha se fotografinë pa e verifikuar e kishte marrë nga Mevlude Saraqi, kjo e fundit ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me atë fotografi. Saraqi këmbëngul se hera e pare që e ka parë foton e publikuar nga Brovina ka qenë pikërisht dita e djeshme.

Po më vjen shumë keq që më paska përfshi në një situatë të tillë. Hera e parë që e kam parë atë fotografi është dita e djeshme kur me shumë vëmendje e kam përcjellë ngjarjen. Unë që nga viti 2007 jam e papunë, dhe Flora Brovina nuk u kujtua kurrë për mua, ndërsa u kujtua të më përfshijë në këtë rast”-theksoi Mevlude Saraqi, ish nënkryetare e Komisionit për Personat të Zhdukur.

Pas këtij skandali, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, u distancua nga veprimi i Flora Brovinës, duke thënë se nuk ishte koordinuar fare me partinë e saj para se ta bënte publike fotografinë, dhe se veprimi i saj ishte individual. Ndërkohë i pyetur se a ka informacione për fotografinë e publikuar nga Brovina, presidenti Hashim Thaçi u përgjigj:

Nuk jam shef i AIK-ut”-pohoi Hashim Thaçi, president i Kosovës.

Edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj thotë se nuk ka qenë fare në dijeni të fotografisë së publikuar.

Publikimi i fotografisë shkaktoi reagime të shumta dhe menjëherë u ngjallën dyshime se e njëjta ishte marrë nga një video prej një faqeje për persona të rritur, dhe se e njëjta ishte filmuar në Irak, e jo në Kosovë siç kishte deklaruar deputetja Flora Brovina.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...