Biznesmeni Zoran Azmanov në Prokurori ka denoncuar se është shantazhuar nga personat e akuzuar në rastin “Reket”. Këtë e konfirmoi për Alsat dhe tha se e di që ka edhe biznesmenë të tjerë që e kanë bërë të njëjtën, por nuk do t’i zbulojë emrat e tyre. Konfirmim se shtohet numri i viktimave në këtë rast erdhi edhe nga prokurorja Vilma Ruskoska.

Kam informata edhe për raste të tjera, por nuk mund t’ju them për sa persona bëhet fjalë. Ata persona dhanë deklaratat e tyre dhe tani kërkojmë dëshmi për t’i konfirmuar pohimet e tyre”.- theksoi Vilma Ruskoska, prokurore

Nuk përjashtohet mundësia që Ruskoska në dorë të ketë edhe përgjime që janë bërë në mënyrë të ligjshme për të akuzuarit nga ana e Agjencia Teknike Operative. Informatën e bëri publike drejtori i Agjencisë Zoran Angellovski duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve gjatë vizitës së Komisionit parlamentar për mbikëqyrje dhe ndjekje të komunikimeve.  Për rastin “Reket” sot foli edhe kryeministri Zoran Zaev i cili nuk tregoi nëse personat që janë ankuar për shantazh tek ai e kanë përmendur edhe Katica Janevën dhe nëse u janë kërcënuar se regjistrimet e shantazhit do publikohen. I pyetur për pseudonimet e personave Kiki dhe Friki që pretendohet të jenë pjesë e grupit e që janë zyrtarë të partisë së tij, tha se do përgjigjet kur t’i dëgjojë emrat e vërtetë të tyre.

Kur t’i tregoni me emër dhe mbiemër, qartë, që të munden t’ju padisin, juve gazetarëve apo të tjerët, atëherë do bisedojmë për emër dhe mbiemër. Kiki dhe Friki për mua nuk ekzistojnë. Duhet t’i tregoni sepse kur gazetaria hulumtuese është kreative kjo me vete ka edhe guxim. Ja, urdhëroni dhe thuajeni secilin nëse ka dyshime. Do ju japin organet hetuese nëse ka hetime ose jo. Dhe gjithsesi, çdokush do mbajë përgjegjësi”. – u shpreh Zoran Zaev, kryeministër

Për rastin “Reket” edhe sot reagoi VMRO-DPMNE-ja. Kjo parti bëri thirrje që hetimi t’i përfshijë të gjithë për të cilët në opinion flitet se janë potencialisht të përfshirë në këtë rast.

Së pari, si është e mundshme prokurorja speciale Katica Janeva të sëmuret po atë ditë kur doli ky skandal, ndaj me dy ditë vonesë të mësojmë se kanë hapur pushim mjekësor? Cili ent shëndetësor ia ka dhënë pushimin mjekësor dhe nëse Komisioni nga Fondi Shëndetësor e ka kontrolluar besueshmërinë e sëmundjes”- tha Bllagica Llasovska, VMRO-DPMNE

Opozita nuk lëshoi të bëjë edhe një aksion të vogël gueril, duke lënë kopje të çantës para derës së PSP-së. Ironizuan se kanë dëgjuar se miku i saj ka pëlqyer çanta të tilla, veçanërisht kur kanë qenë të mbushura me miliona euro.  Për rastin “Reket” deri tani janë të dyshuar Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13 dhe Zoran Milevski – Kiçeec. Që të dyve u është shqiptuar masa e paraburgimit. Ngarkohen për “tregti me ndikim”, përkatësisht kanë premtuar ndërprerje të hetimit ose rrethana lehtësuese për personin e dyshuar në hetimin “Perandoria” që e udhëhiqte PSP-ja..

Alsat

Loading...

Shpërndaj me

Loading...