Presidenti Gjorge Ivanov e propozoi zëvendës-guvernatoren aktuale Anita Angelovska-Bezhoska si kandidat të ri për Guvernatore të Bankës Popullore. Ky propozim erdhi pasi Dimitar Bogov, i cili ishte përzgjedhja e parë e Ivanovit për t’u rizgjedhur guvernator i Bankës Popullore, u tërhoq sot nga kandidatura e tij. Bogov këtë vendim e mori pas reagimeve nga qeveria se nevojitet një kandidat konsensual. Mandati i Bogovit mbaron për pesë ditë.

Nga kabineti i Ivanovit thonë se Bezhoska shtatorin e kaluar, me mbështetjen e qeverisë dhe të opozitës, u zgjodh Zëvendës guvernatore me propozimin e Bogovit.

Presidenti Ivanov beson se Anita Angelovska-Bezhoska, e cila vjen nga radhët e profesionistëve dhe strukturave menaxhuese të Bankës Popullore, është një zgjidhje për pozitën e guvernatorit, me të cilën do të vazhdojë kontinuiteti i punës pozitive dhe menaxhimit të suksesshëm të politikës monetare të Republikës së Maqedonisë – tha  Kabineti i Presidentit, Gjorge Ivanov.

Bogov në shkresën për media i theksoi arsyet për tërheqjen e tij.

Duke pasur parasysh reagimet e disa prej faktorëve të jetës politike në Republikën e Maqedonisë, konstelacioni i tanishëm politik dhe afatet për zgjedhjen e një guvernatori, në interes të shtetit, unë tërhiqem nga kandidatura e Guvernatorit të Bankës Popullore – deklaroi Dimitar Bogov, Guvernator i Bankës Popullore.

Shtrohet pyetja nëse Ivanovi do të marrë mbështetjen e shumicës qeevritarte dhe të opozitës, që Bezhoska të vijë në krye të Bankës Popullore? Nga LSDM, BDI dhe VMRO-DPMNE njoftuan se do të kenë koordinim brenda-partiak në ditët në vijim, pas së cilës do ta publikojnë qëndrimin e tyre. Por, nga BDI që e favorizon Fatmir Besimin mbeten në qëndrimin të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët. Megjithatë, nga kjo parti nuk kanë qëndrim për Anita Bezhoskën. Mandati i Bogovit përfundon të dielën. Alsat mëson se të hënën në Parlament do të vendoset në rend dite zgjedhja guvernatorit të ri e cila kërkon të paktën 61 vota.

Aleksandra Spasovska

Shpërndaj me