Stabiliteti politik pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë si dhe paralajmërimet e Qeverisë se janë tejkaluar projektet problematike në infrastrukturë, janë arsyeja kryesore se përse komuniteti i biznesit vlerëson se mund të realizohet projeksioni për rritjen e ekonomisë mbi 3% këtë vit. Statistika tregon se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, ekonomia ka shënuar rritje prej 3.7%. Për këtë, viti 2018-të përfundoi me rritje prej 2.7%. Ky rezultat është afër projeksioneve të zvogëluara me rishikimin e buxhetit sepse Qeveria fillimisht projektoi rritje prej 3.2%, e më pas këtë e uli në 2.8%. Biznesmenët janë optimist se ky trend do të vazhdojë.

Vërehet një trend pozitiv i lëvizjes ekonomike në vend. Shpresojmë që impulsi pozitiv që çoi në zgjidhjen e kontestit me Greqinë do të ndikojë ndaj rritjes ekonomike në vend. Gjithashtu, shpresojmë që ajo që e tha Qeveria se problemet në infrastrukturë janë zgjidhur, në mënyrë shtesë do të ndikohet për rritjen pozitive. Patjetër duhet të jemi optimist – deklaroi Drilon Iseini, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Për këtë vit, Qeveria planifikon rritje ekonomike prej 3.2%, projeksion që e bazojnë në përshpejtimin e investimeve kapitale, edhe pse të dhënat në tremujorin e parë tregojnë fillim të dobët në këtë drejtim. Në janar është realizuar vetëm 1% nga sasia e paraparë prej 420 milionë eurove, të dedikuara për projekte kapitale për tërë vitin.

Aleksandra Spasevska

Shpërndaj me