Për Valon Behramin, dita e diel do të jetë shumë e veçantë, pasi mesfushori shqiptar do të bëhet për herë të katërt pjesë e një Kampionati Botëror. Kësisoj, ai do t’u bashkohet legjendave të futbollit, emrave si Pele, Maradona, Ronaldo, Kafu, Kasijas, Maldini apo Klose, të cilët kanë luajtur në 4 Kupa Bote.

Kjo është një fazë e karrierës time të cilës mund t’i gëzohem. Dhe as që e mendoj që ky mund të jetë Botërori im i fundit”, deklaroi Behrami pak ditë para një ndeshje që mund të jetë historike.

Botërori i parë i Behramit ishte ai i vitit 2006. “Atje luajta pak”, thotë mesfushori dhe ka të drejtë, pasi ka zbritur në fushë vetëm 1 minutë në ndeshjen ndaj Koresë së Jugut në fazën në grupe. Botërori i dytë ishte disi i veçantë, pasi ai nuk luajti për dëmtim ndeshjen e parë ndaj Brazilit, ndërsa në të dytën, kundër Kilit, ishte titullar.

Më nxorën jashtë direkt”, kujton mesfushori, i cili në fakt u ndëshkua me karton të kuq që në minutën e 31 të takimit për një ndërhyrje ndaj Arturo Vidal.

Vetëm në Botërorin 2014 mund të thuhet se Behrami u bë protagonist i vërtetë i Zvicrës. Në ndeshjen kundër Ekuadorit, ai nisi kundërsulmin për golin e fitores 2-1 në minutat shtesë.

“Vetëm aty mund të them se u bërë pjesë e rëndësishme e Kupës së Botës”, tregon mesfushori.

Tani për të vjen Botërori i katërt, duke shpresuar që të jetë më i mirë, edhe për faktin se tani është zëvendëskapiten i përfaqësueses zvicerane.

Shpërndaj me