Nga data 5 deri më 10 korrik, kryeministri i Kinës, Li Keqiang ka nisur një tur vizitash zyrtare në Bullgari e Gjermani, ku mori pjesë në Takimin e 7-të të Liderëve Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore dhe drejtoi raundin e 5-të të konsultimeve qeveritare mes Kinës e Gjermanisë, sipas CRI-së.

“Bashkëpunimi 16+1” dhe konsultimet Kinë-Gjermani janë pjesë të rëndësishme të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-europian. Kina dhe Europa janë dy forca të rëndësishme për ruajtjen e multilateralizmit botëror dhe të sistemit global të tregtisë së lirë.

Forcimi i bashkëpunimit midis Kinës e Evropës do të ndihmojë në integrimin e këtyre dy forcave, tregjeve e qytetërimeve të mëdha, si edhe në përplotësimin e ndërsjellë ekonomik e në ngritjen e nivelit të jetesës së popujve të tyre. Në kushtet e tanishme, interesat e përbashkët midis Kinës dhe Europës janë rritur. Bashkëpunimi dypalësh me leverdi të ndërsjellë do t’i japë energji të re ekonomisë botërore që kërcënohet nga lufta tregtare.

Mekanizmi i “Bashkëpunimit 16+1” i ka dhënë një impuls të mëtejshëm zhvillimit të marrëdhënieve midis Kinës e vendeve të Europës Qendrore e Lindore dhe ka krijuar një forcë të re nxitëse për thellimin e marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Europë.

Nga viti 2011 deri në vitin e kaluar, rritja mesatare e importit nga vendet e Europës Qendrore e Lindore në Kinë ishte 10.3 %. Vjet importet e Kinës nga vendet e Europës Qendrore e Lindore ishin 18.5 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje vjetore 24 %.

Në kuadër të “Bashkëpunimit 16+1”, Hungaria, Serbia dhe Kina vendosën në vitin 2013 të ndërtojnë hekurudhën Budapest-Beograd. Në të ardhmen, po në kornizën e “Bashkëpunimit 16+1”, do të diskutohet zgjatimi i kësaj hekurudhe drejt porteve të Shqipërisë, të Kroacisë, të Malit të Zi e të Sllovenisë, gjë që do të krijojë kushtet për shtimin e lidhjeve ekonomike e njerëzore ndërmjet vendeve evropiane.

Praktika e suksesshme e mekanizmit të “Bashkëpunimit 16+1” tregon se vetëm duke zbatuar rregullat e ligjet ndërkombëtare dhe parimet e hapjes e të gjithëpërfshirjes, dhe jo të mbylljes, mund të ketë përfitime të përbashkëta. “Bashkëpunimi 16+1” është një platformë të hapur dhe mirëpret pjesëmarrjen edhe të vendeve jashtë rajonit dhe të palëve të treta. Ai përfshin tani gjashtë vëzhgues, si BE-ja, Greqia, Austria etj. Pala kineze është shprehur shumë herë se dëshiron që bashkë me Gjermaninë të zhvillojë bashkëpunim në tregjet e palëve të treta, e pikësëpari në vendet e Europës Qendrore e Lindore./ata

Shpërndaj me