Caku i orientimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por vendet e këtij rajoni nuk kanë bërë hapa të njëjtë në rrugën e integrimeve evropiane dhe për më shumë, rruga e Kosovës drejt BE-së është më delikate dhe më specifike, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane.

Sipas tyre, në rast se Strategjia e Zgjerimit e BE-së merret si pikë reference, aty mund të shihet një lloj i grupimeve të vendeve, sipas nivelit të avancimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht, në kuadër të Ballkanit Perëndimor janë dy liderë që prijnë për sa i përket avancimit në rrugën drejt BE-së, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët i kanë hapur negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian dhe atyre u është përmendur viti 2025, si mundësi e anëtarësimit. Por, sipas tij, Serbisë i mbetet kusht Kapitulli 35, që nënkupton normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën. Në grupin e dytë janë Maqedonia dhe Shqipëria, ndërkaq të fundit janë Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova.

Sipas tij, pas Marrëveshjes së Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për emrin e kësaj të fundit, tashmë është krijuar një moment i mirë për Maqedoninë e Veriut në rrugën e integrimeve të saj evropiane, por jo edhe për Shqipërinë.

“Ka një moment pozitiv që Maqedonia e Veriut të hapë negociatat me Bashkimin Evropian për anëtarësim. Ndërsa, Shqipëria nuk është në momentin që e ka Maqedonia e Veriut. Ekzistojnë probleme në Shqipëri. Opozita nuk është pjesë e Parlamentit dhe jeta politike atje tanimë është jashtëzakonisht e vështirësuar. Pastaj, problemet që kanë me krim të organizuar dhe me korrupsion, shqetësimet, të cilat reflektuan edhe në kërkesën e Parlamentit të Holandës për t’u kthyer regjimi i vizave për Shqipërinë. Pak a shumë ky është pasqyrimi. Ndërsa Kosova është ende i vetmi vend, i cili as nuk ka aplikuar për statusin e kandidatit”, theksoi Kryeziu.

Ai ka shtuar se Kosova ende nuk ka arritur të krijojë parakushtet për të aplikuar për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, përkundër, sipas tij, zotimit publik të koalicionit aktual qeverisës në Kosovë se do të aplikojnë për këtë status në fund të vitit 2018 .

Ngjashëm e shpreh mendimin edhe profesori i të Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai ka theksuar që në pozicionin më të mirë në rrugën e integrimeve evropiane gjendet Mali i Zi dhe Serbia, që pasohen nga vendet që janë afër hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

“Në aspektin e asaj se ku është diferenca kryesore, për Shqipërinë dhe Malin e Zi, në këtë moment mund të merret vendimi për të hapur negociatat dhe kjo është një fazë jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse kuptohet që këto vende i kanë paraqitur kandidaturat për anëtarësim në BE. Kosova, ende nuk e ka parashtruar kërkesën për anëtarësim në BE. Pa një kërkesë të tillë, është vështirë të mendohet që të ecet më tutje. Vetëm parashtrimi i kërkesës kushtëzohet me një zhvillim adekuat të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA), por kuptohet që edhe me statusin e qartë politik të Kosovës. Kjo, me statusin se çfarë jemi, është goxha proces i ndërlikuar”, shprehet Ujkani.

Njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se mosnjohja e Kosovës si shtet nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, do të krijojë probleme shtesë dhe vendimtare në rrugën e integrimeve evropiane për Kosovën.

Kryeziu thotë se vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk mund ta pengojnë vetëm vendimin për liberalizimin e vizave.

“Këto pesë vende mosnjohëse, nuk e përbëjnë, fatmirësisht për Kosovën, 35 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian dhe në kuadër të vendimmarrjes për vizat, këto nuk mund të jenë faktor bllokues. Mirëpo, prej momentit të aplikimit të statusit për kandidat, të marrjes së statusit të kandidatit, hapjes së negociatave, për çdo gjë tjetër kërkohet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe në çdo rrugëtim tjetër në kuadër të procesit të integrimit, do ta kemi të bllokuar, derisa nuk arrihet njohja nga pesë vendet që nuk e njohin Kosovën”, tha Kryeziu.

Ndërkaq, profesor Ujkani shpreh mendimin që përveç asaj se sa kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor, veç e veç, për të ecur para në integrimet evropiane, në këtë proces duhet parë edhe përkushtimin e vet BE-së.

“Unë mendoj që BE-ja është lodhur. Me ardhjen në shprehje të forcave të ndryshëm dhe skenarëve të ndryshëm djathtistë, të ekstremit të djathtë, janë ato që kanë bërë që vendet e BE-së, veç e veç. Pra, BE-ja , si duket, është vetë në kërkim të identitetit dhe të ridefinimit të rolit të saj dhe në kuadër të kësaj, natyrisht që do të ketë efektin e vet edhe në Ballkanin Perëndimor”, tha Ujkani.

Sidoqoftë, njohësit e integrimeve evropiane kanë ripërsëritur se Kosova mbetet vendi i fundit i rajonit në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.

Deri më tash Kosova ka arritur vetëm Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, e cila ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016. Por, sipas tyre, niveli i zbatimit të saj është i dobët. Siç kanë thënë ata, një e treta e planit kombëtar, lidhur me reformat të cilin e ka paraparë Qeveria e Kosovës, nuk ka arritur të adresohet. Gjithashtu, në kuadër të agjendës evropiane, nga 22 reformat kyçe që dalin nga MSA-ja dhe që ishin paraparë të përfundojnë në vitin 2017, deri më sot janë adresuar vetëm pesë prej tyre.

 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...