Futbollisti refugjat, arrestimi i të cilit në Tajlandë nxiti një protestë, do të lirohet pasi Bahrein ka tërhequr kërkesën për ekstradim. Hakeem Al-Araibi, nga Bahrein, shkoi në Australi në vitin 2014 ku edhe iu dha azil politik. Ai u arrestua në Bangkok dhe me anë të Interpolit, Bahrein kishte kërkuar ekstradimin e tij. Ai u dënua me 10 vjet pasi u akuzua se kishte sulmuar një stacion policor. Al-Araibi, 25 vjeç, mohoi akuzat dhe aktivistët për të drejtat e njeriut thanë se ai mund të përballej me tortura të tmerrshme nëse kthehej në Bahrein. Ai ka qenë një kritik i zëshëm i autoriteteve të Bahreinit. Për lirimin e tij janë shprehur futbollistë të mëdhenj, si: Didier Drogba dhe Jamie Vardy. Parlamenti evropian, qeveria australiane, Fifa dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar lobuan të gjithë në Tajlandë për lirimin e Al-Araibit. E pas këtyre kërkesave, vjen edhe lajmi nga shefi i zyrës së Ministrisë së Jashtme të Tajlandës, Chatchom Akapin. “Këtë mëngjes Ministria e Punëve të Jashtme na informoi se Bahreini nuk ishte më i interesuar për ekstradimin e Al-Araibit”. Aktivistët e të drejtave të njeriut në Bahrein përkrahën këtë lajm duke u shprehur: “Kjo është një fitore e madhe për lëvizjen e të drejtave të njeriut në Bahrein, Tajlandë dhe Australi, madje edhe në të gjithë botën”, tha Sayed Ahmed Alwadaei i grupit të fushatës në Londër, Instituti i Bahrejnit për të Drejtat dhe Demokracinë.

Loading...

Shpërndaj me