Kaloi edhe afati i fundit i dhënë nga qeveria, për lëshimin në përdorim të autostradës Miladinovci-Shtip, ndërsa shiriti i seksionit të ri të autostradës nuk është prerë ende. Megjithëse sipas njoftimeve të fundit, autostrada pas disa vonesave duhej të përfundonte deri në fund të majit, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski sot doli me një afat të ri, por jo konkret. Në autostradën e re drejt Lindjes do të vozitet për disa ditë.

Autostrada Miladinovci-Shtip, më lejoni të ju them tani, e thashë edhe këto ditë, thashë me të drejtë me një deklaratë se për këtë javë, dua të theksoj se këto ditë do të vihet në përdorim, ja mos ta theksoj ditën, por këto ditë”-tha Goran Sugareski , ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Shoqata Auto Moto e Maqedonisë njofton se ky seksion nuk është vënë në përdorim dhe se shoferët nuk duhet të lëvizin në këtë rrugë.

Ju informojmë se autostrada Miladinovci – Shtip, seksioni Milladinovci – Kadrifakovo dhe Kadrifakovo – Milladinovci nuk është lëshuar për qarkullim. Në autostradë po bëhen kontrolle të sigurisë. Apelojmë deri te të gjithë shoferët që të mos e përdorin autostradën”-thonë nga SHAMM.

Autostrada Miladinovci – Shtip, e gjatë 47 km, filloi të ndërtohet në vitin 2014 dhe kushton 200 milionë euro, që është një kredi nga Banka kineze Eksim. Afati fillestar për ndërtim ishte 1 maj 2017, por për shkak të problemeve me shpronësimin e tokës, afati u shty me nënshkrimin e një aneks-marrëveshjeje me kompaninë kineze Sinohydro. Afati i fundit i ndërtimit ishte vjeshta e vitit të kaluar, por edhe ky afat u shty disa herë, fillimisht deri në fund të vitit, pastaj deri në fund të marsit të këtij viti. Afati i fundit i dhënë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ishte në fund të majit me shpjegimin se instalohet rrjeti mbrojtës, që është pengesa e fundit për lëshimin e autostradës. Por, ja deri në afatin e fundit, që ishte dje, ky seksion është ende i mbyllur për trafik.

 

Aleksandra Spasevska 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...