Arsyet që afati përfundimtar për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë në gjatësi prej dhjetëra kilometrash është planifikuar për katër vjet janë të karakterit teknik dhe për shkak të procedurave burokratike. Ky është sqarimi i ministrit të transportit dhe lidhjeve Goran Sugarevski, përse lidhja me autostradë mes Maqedonisë dhe Kosovës fillimisht ishte paralajmëruar për vitin 2023. Ministri thotë se shpreson që punët ndërtimore do të përfundojnë shumë më shpejtë, por shton se nuk guxon të përsëriten gabimet e njëjta që janë bërë në të kaluarën e afërt lidhur me ndërtimin e infrastrukturës rrugore.

Askush nuk mund të thotë se tenderi për këto 1.9 kilometra rrugë do të jetë me siguri në muajin maj. Ka procedura ankimore. Çka nëse dokumentacioni nuk është në rregull, flas në mënyrë hipotetike, dhe kjo është kohë shtesë. Ato janë tenderë ndërkombëtarë që zgjatin nga dy-tre muaj. Me procedurat ankimore kjo kohë mund edhe të zgjatet. Prandaj e vendosim atë afat, jo që do të ndërtohet deri në vitin 2023, qëllimi jonë është të ndërtohet shumë më shpejtë, deri në vitin 2021, eventualisht në fillim të vitit 2022, e jo në vitin 2023”- pohoi Goran Sugarevski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë është kërkesë disa dekadash e komunitetit të biznesit. Ky aks rrugor ishte pjesë e çdo fushate parazgjedhore e partive politike. Edhe ky pushtet ndërtimin e kësaj autostrade premtoi se do e vendosë në listën e prioriteteve, por edhe pas një viti e gjysmë qeverisje, projekti as që ka filluar. Ndryshe, për autostradën Shkup-Bllacë janë paraparë 110 milionë euro, pjesa më e madhe e parave do të sigurohet përmes huazimit nga BERZH, ndërsa pjesa tjetër nga buxheti i shtetit. Udhëtimi nga Shkupi në Prishtinë pritet të zgjasë rreth 45 minuta. Për momentin qeveria ende nuk ka vendosur për emrin që do mbajë kjo autostradë, por në opinion flitet se autostrada mund ta mbajë emrin që mban nga ana e Kosovës, Arbër Xhaferi.

Loading...

Shpërndaj me