Një nga duelet më të ndjekura të ditës së sotme në Europë, dhe jo vetëm nga tifozët shqiptarë, do të jetë ai mes Anglisë dhe Kosovës. Kombëtarja e drejtuar nga Shaland ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm me 15 ndeshje radhazi pa humbje, e për këtë arsye të gjithë duan të shohin e si do të reagojë ajo përballë një superfuqie si Anglia. Trajneri i Kosovës pritet të bëjë pak ndryshime në formacionin e skuadrës së tij për këtë duel, edhe pse ekipi shpenzoi shumë energji ndaj Çekisë. Ndryshimet e planifikuara janë ato në mesfushë, ku Valon Berisha dhe Florent Muslija pritet të zënë vendin e Zhegrovës dhe Rashanit. Ndërsa në diskutim është edhe aktivizimi i Rashkajt nga minuta e parë në qendër të këtij reparti. Nga ana tjetër, Garet Sauthgejt kërkon më shumë shpejtësi në manovrën e skuadrës së tij përballë mbrojtjes së Kosovës, e cila është treguar mjaft e vëmendshme në këto ndeshje. Për këtë arsye, pritet që trajneri i “3 luanëve” të hedhë në fushën e lojës Xhadon Sanço në vend të Markus Rashford, për të shtuar fantazinë në repartin e avancuar. Ndryshimet e tjera të mundshme në krahasim me duelin ndaj Bullgarisë përfshijnë aktivizimin e Trent Aleksander-Arnold në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Loading...

Shpërndaj me

Loading...