Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kejt Bërns që në ditën e parë të mandatit, porositi se do të angazhohet në luftën kundër korrupsionit në vend. Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale tek presidenti Stevo Pendarovski, ambasadorja Bërns tha se do të ndihmojë në përforcimin e institucioneve të vendit.

Do të angazhohem në avancimin e stabilitetit përmes institucioneve të fuqishme dhe mbështetjen e përpjekjeve të Qeverisë suaj në luftën kundër korrupsionit dhe përforcimit të sundimit të ligjit, promovimin e prosperitetit nëpërmjet ndihmës dhe partneritetit në sektorin privat dhe përforcimin e sigurisë përmes partneritetit në lëmin e mbrojtjes- deklaroi Kejt Bërns, ambasadore e SHBA-së.

Presidenti Stevo Pendarovski, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme që i japin vendit tonë. Ai ka shtuar se shënimi i 25 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve do ti japë impuls shtesë partneritetit strategjik.

Ky partneritet, posaçërisht sa i përket zbatimit të qëllimeve strategjike – integrimi i plotë në strukturat Euroatlantike dhe organizata – nuk është vetëm dëshmi për miqësi të fortë, por edhe nxitje esenciale dhe inkurajim për ballafaqim të suksesshëm me të gjitha sfidat në botën e sotme me ndryshime të vazhdueshme. Vendet tona lidhen edhe me përpjekjet dhe vendosmërinë  e përbashkët për ruajtjen e paqes, forcimin e demokracisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut- deklaroi  Stevo Pendarovski.

Para dorëzimit të letrave kredenciale tek presidenti, ambasadorja Bërns ia dorëzoi kopjet e tyre edhe ministrit të punëve të jashtme Nikolla Dimmitrov. Nga kabineti i ministrit Dimitrov, thonë se gjatë takimi, ai ka thënë se pret që trendi jashtëzakonisht i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve mike të vazhdojë me sukses të zhvillohet edhe gjatë mandatit të ambasadores Kejt Bërns.

Vijnë në kohën e mundësive. Kemi bërë shumë në drejtim të plotësimit të qëllimeve strategjike kyçe edhe pse mbetet shumë punë pas nesh. Progresi ynë do të mundësojë që të ndikojmë pozitivisht në rrugën europiane dhe euroatlantike të rajonit- tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

Ambasadorja e SHBA-së Kejt Bërns tha se SHBA pret me padurim që Maqedonia e Veriut deri në fund të vitit të jetë anëtare e 30 e NATO-s. Ajo shtoi se si aleatë SHBA dhe Maqedonia e Veriut do të kenë marrëdhënie më të fuqishme dhe përkushtim  të përbashkët për paqenë, sigurinë dhe prosperitetin në rajon dhe më gjerë.

Mefail Ismaili 

Loading...

Shpërndaj me

Loading...