I dërguari presidencial i SHBA-së për bisedimet e paqes Kosovë-Serbi, Richard Grenell, po qëndron në Serbi ku është takuar me kryeministren serbe Ana Bërnabiq, derisa takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke vazhduar.

Më të arritur në Beograd, ambasada amerikane tha përmes një postimi në Twitter se ambasadori Grenell do të përçojë mesazhin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se populli i Serbisë dhe Kosovës dëshirojnë paqe, zhvillim ekonomik, punë dhe një jetë më të mirë për fëmijët e tyre”.

Më rastin e vizitës së diplomatit amerikan në Beograd, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha se është mëse e sigurtë se presidenti amerikan, Donald Trump, ka interes për rajonin dhe se ai mendon se mund të arrihet një marrëveshje (Kosovë-Serbi).

“Ai (Trump) ka më shumë vullnet për arritjen e një zgjidhje të drejtë sesa Departamenti i Shtetit”, tha Daçiq për Radio Televizionin e Vojvodinës.

Vizita e ambasadorit Grenell në Beograd vjen një ditë pasi ai qëndroi në Prishtinë, ku me përfaqësuesit shtetëror dhe politik, diskutoi për mundësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një komunikate për media, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se takimi me ambasadorin Grenell, ishte i fokusuar në arritjen e marrëveshjes së paqes në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, ka nënvizuar Thaçi, duke shtuar se “kjo shton besimin tonë në kërkimin e marrëveshjes së paqes me Serbinë”.

Në këtë takim u tha se marrëveshja e paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit./REL

Loading...

Shpërndaj me

Loading...