Rritja e paralajmëruar e pensioneve prej 700 denarëve në shkurt nuk do të ndikojë në fondin e pensioneve. Megjithëse fondi i pensioneve shtetërore ka vite që po përballet me mungesë prej më shumë se 300 milion eurosh për pensionet, kreu i fondit Shaip Zendeli siguron se Fondi është i qëndrueshëm. Kjo është për shkak të rritjes së kontributeve të pensionit dhe invaliditetit për 0.4%, dhe tani është 18.4%.

Në afat të mesëm dhe të gjatë, nëse shkohet me këtë politikë, nuk besoj se do të kemi probleme shtesë. Shkalla e kontributeve nga 18 rritet në 18.4, plus vitin e ardhshëm 2020, kemi sërish rritje prej 0,4. Pastaj mund të ketë një pauzë, që mos të ketë goditje ndaj punëdhënësve, që pastaj të vazhdojmë sërish -tha Shaip Zendeli – drejtor i Fondit Pensional.

Për kryeministrin Zaev, rritja e pensioneve nuk është veprim parazgjedhor, por një masë e pritshme pas stabilizimit të ekonomisë. Ai u bëri thirrje deputetëve ta miratojnë ligjin e rritjes së pensioneve. Opozita akuzoi se bëhet fjalë për manipulim parazgjedhor të pensionistëve.

Zoran Zaev po gënjen përsëri pensionistët. Zaev u mori 1400 denarë pensionistëve dhe tani i gënjeu ata, me një rritje prej 0.4%. Po mos të ishte tragjike, do të ishte qesharake. Në kushte kur kostot e jetesës rriten shumë, pensionet kanë ngecur në vend. Deklarata se do të ketë një rritje të pensioneve, gjë që nuk është e mjaftueshme as për asnjë bukë, është ryshfet parazgjedhor dhe manipulim me qytetarët – thonë nga VMRO-DPMNE.

Sipas Qeverisë, me rritjen graduale të pensioneve nga 900 denarë në vitin 2020, pensioni mesatar do të arrijë në rreth 15.500 denarë, ose për tre vjet pensioni mesatar do të rritet për 1.746 denarë. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar gjithashtu reaguan për rritjen e pensioneve dhe paralajmëruan se rritja do të thellonte vrimën në Fondin Pensional. FMN-ja sugjeron ngritjen e kufirit të moshës së pensionimit.

Andrea Çobanova

Loading...

Shpërndaj me

Loading...