Formimi i një Kishe Ortodokse Shqiptare në Maqedoni është hap i patjetërsueshëm pasi që në vend jetojnë më shumë se 70 mijë shqiptarë ortodoksë të cilët kanë arritur të mbrojnë trashëgiminë e tyre kombëtare, pavarësisht sistemeve shtypëse dhe përpjekjeve për asimilim në epoka të ndryshme. Kështu shprehet profesori Branislav Sinadinovski, i cili së fundmi u deklarua si Shqiptarë Ortodoks. Sipas tij meshat në gjuhën shqipe, të lejuara nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë nuk zgjidhin problemin dhe ky vendim i KOM-it është vetëm tentim për të penguar formimin e Kishës Ortodokse Shqiptare. 

Kjo nuk është kërkesë e imja e imagjinuar, apo siç thotë prifti Timotej projekt politik. Kërkesa për formimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Maqedoni është një shprehje e kërkesës së shqiptarëve ortodoks që të kenë kishën e tyre, t’ju mundësohet dëshira për të cilën ka luftuar edhe Josif Bageri qysh nga viti 1910 kur në Bullgari kishte tentuar të formojë Kishën Ortodokse Shqiptare. Formimi i kësaj kishe si pjesë e kishës amë, kurse kisha të tilla shqiptare ka edhe në Amerikë dhe disa vende tjera të botës, ne vetëm do të ndihmonim Kishën Ortodokse Maqedonase që të zgjidh problemin disa dekadësh me Kishën Ortodokse Serbe dhe ti sigurojë vetës njohje ndërkombëtare’, tha Branisllav Sinadinovski, shqiptarë ortodoks i Maqedonisë.

Ndërkohë peshkopi Timotej nga KOM-i thotë se plani për themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Maqedoni është një projekt politiko-shovinist dhe nuk ka të bëjë asgjë me fenë.

 ‘Kjo kërkesë është nebuloze dhe kërkesë partiake e dikujt! Nuk ka logjikë dhe bazë dhe as nevojë sa i takon fesë, kurse aspektin partiako-politik nuk dëshirojë të komentojë pasi nuk jam njeri i politikës dhe nuk kam ndërmend të merrem me gjëra të tilla që nuk më përkasin mua. As që bëhet fjalë dhe është gjë krejtësisht ndryshe të mbahen mesha në gjuhën shqipe, atë turke, greke apo serbe, për ndonjë njeri që ka nevojë, por kjo kërkesë partiake është krejtësisht gjë tjetër’, u shpreh Timotej, peshkop në KOM.

Nga Kisha Ortodokse Maqedonase thonë se ata nuk do të tërhiqen nga leja e dhënë ditë më parë që nëpër tempujt fetar ortodoks në vend të mbahen mesha edhe në gjuhën shqipe.

Dy ditë më parë idenë e Sinadinovskit e mirëpriti edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tij kjo kërkesë është një porosi shumë e madhe për të gjithë shqiptarët, por edhe për të gjithë popujt që jetojnë në Ballkan. Ahmeti madje theksoi se pavarësisht përpjekjeve për të mohuar përkatësinë kombëtare të shqiptarëve ortodoks në Maqedoni, ata janë pjesë e pandashme e popullit shqiptarë. Valmir Kuçi

 
Loading...

Shpërndaj me