Pavarësisht se dridhjet më të mëdha të tokës kishin kaluar, frika dhe paniku ishin të pranishme edhe gjatë natës tek qytetarët e Tiranës dhe Durrësit, të cilët nuk u kthyen për të kaluar natën në shtëpitë e tyre por qëndruan nëpër çadra në ambiente të hapura si në rrugë apo plazhe.

“Jam 46 vjeçe dhe nuk e mbaj mend ndonjëherë këtë lloj tërmeti. Unë banoj në pallatin e bardh të kohës së Enverit. Në maj kam bërë punime të reja, po të futesh në sallon e shikon se si muri është çarë. Nuk e di, nuk rrija dot në shtëpi. Kam ankth, nuk mbushem dot me frymë.”

“Ishin vërtet shumë të tmerrshme. Sinqerisht jemi shastisur. Kemi ulëritur me të madhe dhe kemi dalë nga shtëpia. Materiale mund të them jo, por pak krisje në tavan kemi.”

“S’ka më keq. Isha në shtëpi në momentin po gatuaja. Edhe bombola me ra përtokë së bashku me tenxheren e gjellës. Nuk jemi të Zotët të ikim në shtëpi të flemë si njerëz. Janë ndarë dyert janë plasaritur plotësisht anësoret”.

Përgjegjësi i departamentit të Sizmiologjisë, Rexhep Koçi, tha se deri më tani në Shqipëri janë regjistruar më shumë se 340 lëkundje sizmike. Ai qetëson qytetarët duke thënë se rreziku mund të quhet i kaluar tashmë duke pasur parasysh trendin e goditjeve dhe fuqive të tyre.

“Deri në këto momente janë regjistruar mbi 340 ngjarje sizmike. Të cilat kanë qenë të madhësive të ndryshme dhe të induktuara në kohë të ndryshme. Trendi i treguar i këtyre pasgoditjeve mund të thuhet që rreziku po vjen duke u zvogëluar. Jo nga numri i dridhjeve, por nga fuqia që ato kanë shfaqur – tha Përgjegjësi i departamentit të Sizmiologjisë.

Sot të gjithë prefektët, Forcat e Armatosura, deputetët dhe ministrat të shkojnë në qytetin e Durrësit, qytet pranë të cilit ishte epiqendra e tërmeteve dhe janë shkaktuar dëmet më të mëdha, gjegjësisht 188 shtëpi, 9 pallate dhe 2 shkolla të plasaritura. Kryeministri Rama ka caktuar 3 detyra kryesore të cilat institucionet duhet t’i realizojnë gjatë ditës së sotme.

Gjëja e parë që do kërkoja nga të gjithë ju edhe prefektët e ardhur nga qarqet e tjera, bashkërisht të spostohemi menjëherë në Durrës. Sot stadium duhet të jetë i hapur dhe duhet të jetë I pajisur sot, për mbrëmjen, me të gjithë strukturën akomoduese. Janë 700 shtretër në dispozicion.Instituti i ndërtimit ka filluar punën për të bërë inspektimin e dëmeve. Në fund të ditës ajo që kanë nevojë njerëzit të dëgjojnë, është sa e sigurt është godina ku ata venë në gjumë fëmijët e tyre – u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Të gjitha shtabet e emergjencave, bluzat e bardha dhe forcat e armatosura kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në dispozicion të të gjithë qytetarëve, posaçërisht atyre 105 të lënduarve tha në mbledhjen e sotme ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka. Ndërkohë Bashkia e Tiranës, qyteti i dytë më i dëmtuar nga tërmetet, ka vendosur në dispozicion një milion dollar për të kapërcyer të gjitha pasojat që lanë pas tërmetet. Në inspektimet në terren rezulton se në Tiranë janë 42 pallate që kanë pësuar çarje të fasadës dhe janë dëmtuar rreth 200 apartamente, ndërsa situata pak më e vështirë paraqitet në Pezë dhe Ndroq, ku gjithsej janë 70 shtëpi me dëmtime serioze, kryesisht shtëpi të vjetra të ndërtuara me gurë, të cilat kryebashkiaku Veliaj tha se do të ndërtohen nga fillimi. Pas tërmeteve, me Shqipërinë janë solidarizuar Kosova, Greqia, Italia, Franca, Austria si dhe BE-ja. Komisioneri Hahn në tëitter shkruan se BE ofron menjëherë ndihmë përmes ‘EU CivilProtection Mechanism”. Megjithatë, as pushteti Ekzekutiv dhe as ai Ligjvënës të Maqedonisë nuk kanë reaguar për gjendjen në Shqipëri.

Evi Shkopi

Loading...

Shpërndaj me

Loading...