Pas paralajmërimeve për intensifikimin e bisedimeve për zgjidhjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, ekspertja e të drejtës kushtetuese, Margarita Caca Nikollovska vlerëson se zgjidhja e kësaj çështje nuk mund të përfundojë vetëm me vendim të Qeverisë. Sipas saj, nevojitet përfshirje edhe e institucioneve tjera.

Këtu kemi Kuvendin që është grup i përfaqësuesve të popullit, që do ta tregojnë mendimin e popullit. Nëse shkohet në referendum të mendohet shumë saktë si do të jetë përgjigjja e pyetjes, të mos jetë formale që edhe më shumë do ta ngatërrojë situatën – deklaroi Margarita Caca Nikollovska, eksperte.

Ardita Imeri nga Instituti për Politikë Evropiane vlerëson se pavarësisht vendimit për mbajtjen ose jo të referendumit, për zgjidhjen e emrit nevojitet një debat i gjerë me përfshirjen e gjitha palëve.

Modalitetet se si do të pranohet kjo zgjedhje, kjo alternativa e fundit se si do të transmetohet brenda në shtet dhe te qytetarët do të jetë një zgjedhje politike. Do të jetë një vendim politik dhe mendoj se Qeveria duhet në mënyrë shumë të qartë të deklarohet se si do ta bëjë këtë. Ajo që ne si institut e kemi theksuar çdo herë është se ne mendojmë se procesi duhet të jetë shumë inkluziv dhe të ketë konsensus prej të gjitha palëve në këtë çështje shumë sensitive – tha  Ardita Imeri, Instituti për Politikë Evropiane.

Ditë më parë, kryeministri Zoran Zaev tha se rezultatet e zgjedhjeve i japin guxim plotësues lidhur me tejkalimin e kontestit të emrit. Deri më tani edhe VMRO-DPMNE edhe LSDM kanë qëndrim të ngjashëm se për zgjidhjen e emrit, qytetarët paraprakisht duhet të prononcohen në referendum.

Anesa Saliu

Shpërndaj me