Biznesmenët e Odës Ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore kanë befasuar kryeministrin Zaev me pyetjen se ku janë paratë e tyre nga kthimi i tatimit të vlerës së shtuar. Zaev mbeti i habitur për borxhin ndaj biznesit pasi siç tha të gjitha obligimet e arritura deri në fund të korrikut kanë qenë të shlyera. Një pjesë e biznesmenëve thonë se m moskthimi i TVSH-së ua vështirëson punën.

Kam para për kthim, ndërsa nesër në Doganë do të arrijë malli dhe duhet të paguaj 10 mijë euro për futjen e mallit – u shpreh një biznesmen.

Ju lutem këto raste t’i denonconi. Ne publikisht thamë se përsëri do të sigurojmë financa për kthimin e TVSH-së. Qëllimi është që deri në vjeshtë për kthimin e TVSH-së mos të vendosë më ministri, por vetëm të jetë vëzhgues, ashtu siç arrin TVSH-ja, arka vetë ta zbrazë – dekalroi kryeministri Zoran Zaev.

Zaev premtoi se biznesmenët kur do të kenë kthim të TVSH-së nga shteti, do të kenë mundësi me shlyerjen e ndërsjellë të obligimeve ta ulin borxhin që qeveria e ka ndaj tyre. Komuniteti i biznesit gjithashtu kërkoi sigurimin e infrastrukturës dhe kanalizimit në zonën industriale të Vizbegut.

Bëhet fjalë për zonë që përfshin tre komuna, aty ka kompani me 2500 të punësuar, në vit realizohen 640 milion euro qarkullim dhe 30 milion euro fitim, ndërsa paguan tatim prej 3 milion. Dy vite presim miratim për ndërtim, toka ende është bujqësore, nuk ka kanalizim, ujësjellës dhe shenja trafiku – tha një biznesmen.

I di problemet në këtë zonë dhe do të tentojmë t’i zgjidhim në mënyrë cilësore – u shpreh Koço Angjushev  -zv kryeministër për çështje ekonomike.

Zaev gjithashtu premtoi se prej tani tenderët më të mëdhenj do të ndahen në disa pjesë që të përfshihen sa më shumë kompani, me çka do të mundësohet ringjallja e ekonomisë. Ai premtoi rikapitalizimin e Bankës Maqedonase për mbështetje dhe zhvillim, me çka komunitetit të biznesit do t’i mundësohet kapital i freskët, ndërsa 90 milion euro apo 1% nga PBV  do të jepen për zhvillim të barabartë rajonal.

Verica Pavlloska

Shpërndaj me