Në Konferencën për paqe në Lindjen e Mesme, e cila fillon më 15 janar në Paris të Francës, merr pjesë edhe sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerri, për të cilin ky do të jetë udhëtimi i fundit i jashtëm në cilësinë e zyrtarit të lartë amerikan, pasi javën e ardhshme largohet nga zyra.

Në këtë konferencë do të marrin pjesë përfaqësues të afro 70 shteteve dhe pritet se ata do t’i mbështesin thirrjet për ndaljen e ndërtimit të vendbanimeve nga ana e Izraelit dhe do të angazhohen për arritjen e paqes me negociata.

Në këtë konferencë nuk marrin pjesë as përfaqësuesit izraelitë e as ata palestinezë.

Kjo konferencë po organizohet disa javë, pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka votuar për dënimin e ndërtimit të vendbanimeve, dhe pritet që të theksohet mbështetja për zgjidhjen paqësore me dy shtete.

Gjatë seancës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara kanë abstenuar nga votimi, por nuk kanë paraqitur veto, që zakonisht ka ndodhur kur rezolutat janë konsideruar si anti-izraelite.

Muajin e kaluar, zoti Kerry e mbajti një fjalim madhor, me ç’rast ka shprehur mbështetje për parametrat e propozimit për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, me dy shtete.

 

Shpërndaj me