Largimi gjatë merkatos së dimrit i yjeve të Arsenalit, Alexis Sanchez dhe Mesut Özil është “i mundshëm”, ka deklaruar të enjten trajneri i tyre, Arsène Wenger, ndërkohë që kontratat e tyre përfundojnë në fund të sezonit. “Është e mundshme”, ka theksuar tekniku francez dy ditë para transfertes në Watford për kampionat. Por, sipas Wenger, Arsenali nuk ka fiksuar datë limit për negociatat me dy lojtarët. “Jo, nuk ka asgjë konkrete për momentin”, është pergjigjur ai. “Unë kam thënë gjithnjë se fakti që nuk është gjetur akordi vitin e kaluar me ta, dy lojtarët mund të largohen. Të dy janë të kënaqur këtu dhe shpresoj që të gjendet një zgjidhje”, është shprehur francezi. Sanchez, 28 vjec, është bashkuar me Arsenalin në 2014, një vit pas Özil, i cili ka të njëjtën moshë.

Shpërndaj me