VMRO-DPMNE-ja nuk ka vendim përfundimtarë për bojkotimin e tërësishëm të Kuvendit por do të vazhdojë bojkotimin e përkohshëm të punës së ligjvënësit. Vendimi u mor pasi pesë deputetë të kësaj partie dhe një deputet i partisë së koalicionit parlamentar, morën masën e paraburgimit ose arrestit shtëpiak, për zhvillimet e 27 prillit në Kuvend. Nga kjo parti, vendimin e gjykatës e konsiderojnë si sulm ndaj demokracisë dhe përndjekje politike nga ana e LSDM-së qeveritare.

Vendimet e djeshme na kanë shqetësuar pa masë dhe njëzëri kemi vendosur që përkohësisht të pezullojmë aktivitetet tona në Kuvend. Akoma nuk ka vendim përfundimtar për bojkot, por përderisa 5% e deputetëve janë arrestuar e që nënkupton se 5% e qytetarëve të Maqedonisë janë të pa përfaqësuar në Kuvend, ne nuk kemi arsye të qëndrojmë aty- thuhet nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së.

Për të zhbllokuar punën e Komisionit për Financa dhe Buxhet dhe për të vazhduar shqyrtimi i propozim-buxhetit për vitin 2018, kreut të Kuvendit Talat Xhaferi ditë më parë ju desh që në vend të kryetares së komisionit Liljana Kuzmanovska, të emërojë deputet tjetër nga radhët e shumicës me qëllim të vazhdimit të punës së Komisionit i cili, pa arsye, ishte prolonguar me ditë të tëra. Kreu i Kuvendit Xhaferi aktualisht ndodhet në vizitë pune në Uashington dhe si pasojë, është i pakapshëm për të sqaruar opsionet tjera të tij. Ish kryetari i ligjvënësit Stojan Andov nga ana tjetër arsyeton vendimin e Xhaferit për këtë Komision por thotë se Rregullorja nuk parashikon mundësi të tjera.

Nëse vazhdojnë me bllokimet si tani, kjo masë është në duart e kryetarit të Kuvendit dhe mund të zbatohet. Sa jam unë i njoftuar, kreu i Kuvendit nuk ka masa të tjera që mund të ndërmarrë. Është e pa parashikuar në vendet ku duam edhe ne të bëjmë pjesë, që një gjë e tillë të ndodhë me deputetët, prandaj edhe nuk janë parashikuar dënime- thotë Stojan Andov, ish kryetar i Kuvendit.

Sipas Andov, deputetët duhet të respektojnë mëvetësinë e pushtetit ligjvënës dhe atij gjyqësor dhe të ushtrojnë detyrën për të cilën janë zgjedhur.

Deputetët janë zgjedhur në zgjedhje dhe pas vetes kanë votues që prej tyre presin ta bëjnë detyrën. Ata tani janë deputetët dhe duhet të sillen me përgjegjësi ndaj detyrës së deputetit, më shumë se sa ndaj nevojave të partisë dhe të shkojnë në protesta, e kështu me radhë- thekson Stojan Andov.

Një sërë propozim-ligjesh dhe emërimesh kanë hyrë në procedurë parlamentare dhe presin shqyrtim nga ana e të zgjedhurve të popullit.

Fatlume Derivishi

Shpërndaj me