Rishikimi i buxhetit i miratuar nga Qeveria parashikon shtim të fondeve për Universitetin Nënë Tereza mirëpo ato nuk janë për fillimin e ndërtimit të objektit të ri i cili, siç duket nuk do të ndodhë së shpejti. Zv.ministri i arsimit Visar Ganiu njoftoi se fondet e parapara janë për plotësimin e kuadrit si dhe përgatitjen e hapësirave të reja të universitetit në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit”.

Në shtimin e mjeteve i kemi paraparë profesorët që do të jenë të angazhuar tani në universitet për t’u ekipuar universiteti kurse nga ana tjetër kemi paraparë edhe mjete shtesë për të bërë disa riparime në objektin ekzistues që tani ka filluar dhe punon universiteti Nënë Tereza dhe në objektin që sa jam unë i informuar ka mbaruar ku në marrëveshje me komunën e Çairit do ta shfrytëzojë edhe objektin “Kongresi i Manastirit- deklaroi zv.ministër i Arsimit Visar Ganiu.

Por kjo nuk është hera e parë që Universitetet shqiptare shfrytëzojnë ambiente të shkollave fillore. Në shkollën “Kongresi i Manastirit” në Shkup fillimisht ishin vendosur fakultetet e disperzuara të Universitetit të Tetovës. Gjatë vitit të kaluar akademik, UNT-ja shfrytëzoi vetëm dy salla të Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup. Gjatë kohë u përfol edhe për shkrirjen e mundshme të UEJL-së me UNT-në kurse një mundësi të tillë e kishte lënë të hapur edhe vetë kreu i bordit drejtues të UEJL-së Denis Farrington gjatë një interviste për Alsat, i cili kishte deklaruar se një vendim konkret do të merret pas formimit të Qeverisë. I kontaktuar përsëri, Farrington konfirmoi se mundësia e shkrirjes mbetet e hapur si një ndër opsionet për të cilin do të vendoset brenda gjashtë muajsh, megjithatë sipas tij, nevojitet strategji gjithëpërfshirëse për arsimin e lartë.

Rektori sapo ka dhënë një intervistë për të sqaruar vazhdimin e zhvillimit të UEJL-së për personalizimin e arsimit të lartë për studentët. Personalisht mendoj që kjo është çështja kryesore ku duhet të përqendrohemi, pavarësisht se cila mund të jetë struktura e ardhshme. Arsimi i lartë në Maqedoni ka nevojë për një risi të këtillë kurse esenciale mbetet një kornizë e re ligjore, financiare dhe cilësore. S’ka asgjë më shumë për t’u thënë për idenë e “shkrirjes” në këtë moment. Ky lloj i zhvillimit mund të konsiderohet si një element i një strategjie por nuk është i vetmi– deklaroi Denis Farington, kryetar i bordit të UEJL-së.

Nga ana tjetër Zv. Ministri Visar Ganiu deklaroi se nuk mund të thotë saktësisht se kur do të fillojë ndërtimi i objektit të ri për “Nënë Terezën”, por la të hapur mundësinë që fondet për këtë, të parashikohen në buxhetin e vitit 2018. Fillimisht për vitin 2017, për UNT-në ishin parashikuar vetëm 163 mijë euro. Me rishikimin e buxhetit, Qeveria parashikon mjete shtesë dhe shifra arrin shumën prej 1 milion e 340 mijë euro. UNT-ja ka qenë në qendër të kritikave për shkak të përshpejtimit të procedurës së hapjes së këtij universiteti para zgjedhjeve parlamentare, mënyrës së zgjedhjes së rektorit Aziz Pollozhani i cili vetë u kishte paraprijë punëve për formimin e UNT-së, përzgjedhjes së kuadrit akademik si dhe mungesës së një plani të kompletuar të funksionimit.

Fatlume Dervishi

 

 

Shpërndaj me