A është duke i mbrojtur Gjykata Penale nga përgjegjësia pesë gjykatësit e Gjykatës Administrative të cilët akuzohen për parregullsi zgjedhore në rastin Titanik 2? Alsat M nga burime në Gjykatën Themelore Shkupi 1 mëson se Këshilli i Gjykatësve e ka vlerësuar aktakuzën për Biljana Nikodinovska – Petrovskën, Lidija Ivanovskën, Blagorodna Rangelovën, Aneta Xhigerovën dhe Gazmend Fejzullahin, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Nga ky institucion nuk e kanë pranuar propozimin që këta gjykatës të përgjigjen bashkë me të akuzuarit tjerë për parregullsi dhe kurdisje të zgjedhjeve. Këshilli Gjyqësor, pesë gjykatësve ua morri imunitetin gjyqësor, i cili i mbronte të njëjtit nga përgjegjësia penale. Sipas të dhënave tona, Specialja do ta ankimojë vendimin e gjykatës.

Në rastin Titanik, PSP akuzon gjithsej 21 person. Në mesin e tyre është ish kryeministri Nikola Gruevski, ministrat në qeverinë e tij Mile Janakieski dhe Gordana Jankulovska si dhe Martin Protugjer dhe Kiril Bozhinovski. Në listën e të akuzuarve për kurdisje zgjedhore janë edhe ish drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, kreu i PDSH-së Menduh Thaçi dhe anëtari i KSHZ-së nga kjo parti Bedredin Ibraimi.

Në mesin e të akuzuarve janë edhe dy anëtarë të BDI-së, koordinatori i grupit të deputetëve, Ejup Alimi dhe Ismet Guri. Kur Specialja prezantoi lëndën Titanik para opinionit, njoftoi se ka dyshime për kriminalizim të plotë të procesit zgjedhor me dhënien joligjore të letërnjoftimeve dhe vendosjen e njerëzve nëpër listat e votuesve, të cilët në asnjë mënyrë nuk është dashur të jenë aty.

Në rastin Titanik do të mund të dëgjohen mbi 1000 përgjime në sallën gjyqësore dhe ato të përdoren si dëshmi. Gjykata e Apelit këto përgjime i ktheu në rendin juridik pasi paraprakisht Penalja i hodhi poshtë si dëshmi.

Bojan Stojanovski

Shpërndaj me