Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se vendimi për ngritjen e Gjykatës së Posaçme është në fuqi, ndërsa i quajti të panevojshme siç tha, teprimet rreth kësaj çështjeje duke krijuar një panik tek qytetarët e vendit.

“Realisht Kosova as ka qenë, as është e as do të jetë ndonjëherë kundër sistemit të drejtësisë. Kosova ka dëshmuar bashkëpunimin më të mirë prej të gjitha vendeve të ish-Jugosllavisë me Tribunalin e Hagës, duke u dorëzuar vullnetarisht në akuzat e para që kanë ndodhur edhe pse janë dëshmuar përsëri si të pafajshëm të gjithë të akuzuarit”, theksoi Thaçi.
Këtë proces, vijoi ai, që e kam udhëhequr me përkushtimin që të themelohet kjo gjykatë edhe pse e padrejtë historikisht, e kam bërë vetëm që të ruhet partneriteti me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

“Prandaj edhe sot opinionet që paraqiten prej deputetëve janë opinione të njerëzve të zgjedhur, legjitimë dhe përfaqësues të popullit, proceduralisht të rregullta ligjore dhe kushtetuese; mendoj se ka një qasje të ekzagjerimit të opinionit të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, sepse po ky parlament edhe në vitin 2015 e ka miratuar. Përfaqësuesit e popullit sot kanë opinione të ndryshme për këtë çështje, por nga ajo që kam lexuar, askush nuk është kundër sistemit të drejtësisë, kundër gjykatës, por e shohin si një opsion alternativ”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit i pyetur nëse është i gatshëm të nënshkruajë nëse Parlamenti i Kosovës voton kundër Gjykatës së Posaçme, theksoi se “unë do të bëja shkelje kushtetuese nëse nuk do ta nënshkruaja; e kam obligim kushtetues e ligjor dhe nuk mund të mohoj apo kthej vullnetin e deputetëve”.

Lidhur me demarkacionin me Malin e Zi Thaçi u shpreh se “sa i përket çështjes së kufirit me Malin e Zi, kjo duhet të kryhet, është e saktë, e qartë, preçize e punuar prej ekspertëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë dhe vlerësuar prej të gjithëve; çdo vonesë, në veçanti në javët e ardhshme, do të jetë shumë goditëse për perspektivën evropiane të vendit”.

Shpërndaj me