Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duke folur për krizat politike që kanë kapluar vendet e rajonit, ka paralajmëruar bashkimin e shqiptarëve në një hapësirë të vetme. Thaçi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se mbyllja e dyerve për Kosovën në Bashkimin Europian do të detyronte shqiptarët në bashkim.

Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013 e them edhe tani, nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj tutje në familjen evropiane – deklaroi Hashim Thaçi, President i Kosovës

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq kërkoi nga liderët shqiptarë që të kenë kujdes me deklaratat për bashkim pasi nuk bëhet fjalë vetëm për Serbinë, por edhe për Maqedoninë.

 Është e qartë se janë kërcënime, sepse nuk mund të arrini bashkimin e të gjithë shqiptarëve pa konflikte me disa shtete në rajon. Këtu nuk është në pyetje vetëm Serbia, është në pyetje edhe Maqedonia edhe disa shtete tjera, të paktën edhe një ose dy. Ne i lusim, po e përsëris, i lusim që me deklarata të tilla të mos dalin në publik, sepse ato nuk u kontribuojnë marrëdhënieve të mira në rajon dhe as krijimit të atmosferës së bashkëpunimit dhe punës së përbashkët në projekte të rëndësishme – deklaroi  Aleksandër Vuçiq, Kryeministër i Serbisë

Ditë më parë, kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE, venitet. Zëdhënësja e KE-së Maja Kocijançiq ka thënë se Ballkani Perëndimor ka perspektivë të qartë evropiane dhe se në këtë drejtim punohet me të gjitha vendet partnere në rajon, bazuar në parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal.

Adrian Kerimi

Shpërndaj me