Komuna e Tetovës pas një jave ka filluar me pastrimin e borës dhe akullit nga rrugët. Qytetarët thonë se është turp të paguajnë taksa për pastërti dhe higjienë të rrugëve, ndërsa të kenë rrugë dhe trotuare të ngrira si dhe mbeturina gjithandej.

“Është rrezik të lëvizësh, edhe pse unë lëviz mirë. Për personat e moshuar nuk është mirë. Rrugët kryesisht nuk janë të pastruara”.

“Nuk është e sigurt, rrugët nuk janë të pastruara.  Kompetentët nuk u përgjigjën siç duhej. Askush asgjë nuk punon”.

“Është rrezik dhe vështirë, por kjo është kjo. Këtë dimër autoritet po bëjnë mirë, u përgjigjen, ja po pastrojnë sa munden”.

Nga ndërmarrja komunale publike në Tetovë mbrohen se që nga reshjet e para të borës ekipet e tyre menjëherë kanë intervenuar në terren.

Edhe pse Useini konfirmon se fillimisht është pastruar rreth spitalit klinik në Tetovë, ekipi i Alsat M vizitoi këtë objekt. Por, edhe atje njëjtë sikurse në pjesën më të madhe të qytetit çdo gjë ishte e mbuluar me akull dhe borë. Pikërisht reagimi i vonuar për pastrimin e rrugëve ishte shkak për rritjen e numrit të personave me frakturë, thonë mjekët nga spitali i Tetovës.

Mjekët apelojnë që mos të dilet jashtë pa nevojë, ndërsa qytetarët që lëvizin nëpër rrugë, të mbajnë rroba të ngrohta dhe këpucë që nuk rrëshqasin.

Verica Pavlloska

Shpërndaj me