Përderisa Ministria e Arsimit tërhoqi nga përdorimi librin “Edukata qytetare” e klasës së tetë, për shkak të përmbajtjes fyese ndaj gjinisë femërore, filloristët shqiptarë vazhdojnë akoma të mësojnë nga tekstet me gabime trashanike. Në librin e lëndës “Shoqëria” për klasën e pestë fillore flamuri i Kosovës vijon të prezantohet si simbol shtetëror grek, ndërkaq në librin e Gjeografisë për klasën e pestë gabimet vërehen që në ballinën e librit, ku emri i lëndës është i shkruar gabim. Pos këtyre lëshimeve, të pranishme vazhdojnë të mbeten edhe shtrembërimet e ngjarjeve të rëndësishme historike për shqiptarët. Profesori Hasan Jashari vlerëson se Ministria urgjentisht duhet të tërheqë të gjitha tekstet të cilat përmbajnë fyerje ndër etnike apo gabime territoriale.

Natyrisht që është mirë që është tërhequr libri I edukatës qytetare mirëpo ky trend duhet të zhvillohet dhe të vazhdon me librat të cilët fyejnë etnikumet apo grupet e ndryshme religjioze gjë që është një diskriminim dhe natyrisht që këtu ka edhe fyerje të cilat në njëfarë forme nxisin mos tolerancë, fyerje ndaj shqiptarëve, si p.sh: librat e historisë, gjeografisë, apo I muzikës I cili është me tituj shqip dhe me këngë në gjuhën maqedonase, gjë që është fyerje kolektive – deklaroi profesori Hasan Jashari.

Nga Ministria e Arsimit thonë se për përmirësimin e gabimeve në këto tekste nevojitet kohë më e gjatë.

Mënjanimi i gabimeve nëpër tekstet shkollore nuk është një proces i cili mund të përmbyllet Brenda natës. Sigurisht që do t’i shqyrtojmë dhe kur të jetë mundësia do t’i bëjmë përmirësimet”, thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Së fundmi ministrja Deskoska deklaroi se fillimisht duhet të ndryshohet ligji për nxënësit e më pas të shkurtohet afati për paraqitje të autorëve për të shkruar libra. Të gjithë mësimdhënësve u është dhënë urdhër që deri më 15 shtator t’i paraqesin të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e tyre që kanë të bëjnë me procesin edukativo arsimor, përfshi këtu edhe gabimet në tekstet shkollore.

Vjollca Aliti

Shpërndaj me