Të punësuarit në Hekurudhat e Maqedonisë Transport, kanë hyrë në grevë për shkak të mos pagimit të pagave. Ata kërkojnë nga Qeveria dhe menaxhmenti t’ua sigurojnë pagat për gjysmën e dhjetorit dhe për janarin. Ata shprehen se nuk do të punojnë përderisa nuk i marrin paratë. Pas hyrjes në grevë në mëngjes nuk janë kontrolluar lokomotivat e trenave me çka është cenuar drejtpërdrejt siguria e udhëtarëve.

Ne jemi ndërmarrje pronar i së cilës është Qeveria dhe ajo e shkel Ligjin. Ajo nuk na paguan paga dhe nuk e respekton Ligjin, ndërsa kërkon prej nesh t’i respektojmë ligjet. Ky ekip i menaxherëve të rishikohet dhe si i tillë nuk na nevojitet, le të largohet urgjentisht – deklaroi Dushko Çakarovski, Kryetar i Sindikatës së Pavarur.


 Mos dhëntë Zoti që të ndodhë diçka, ne si të punësuar distancohemi nga gjithçka – tha Gjorgji Ilievski, Kryetar i Sindikatës.

Drejtori Nikolla Kostov ka kërkuar nga të punësuarit të kenë durim, dhe se deri në të 20-in e këtij muaji do t’u paguhet një pjesë e pagave të ngecura. Alsat M, ndonëse e kërkonte drejtorin e HM Transport, ky i fundit mbeti i pakapshëm.

Verica Pavlovska

Shpërndaj me