Të enjten do të shpallet konkurs për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës penale, por edhe të disa gjykatave të tjera në vend. Përzgjedhja bëhet para se Qeveria të fillojë reformën e paralajmëruar në sistemin gjyqësor, ku me rëndësi janë ndryshimet pikërisht në Këshillin Gjyqësor.

Për Ish-kryetarin e Gjykatës supreme Dane Iliev, këto zgjedhje bëhen në moment irracional.

Këshilli Gjyqësor në vend që të merret me propozime për reformimin e ligjit për gjykatat dhe për Këshillin Gjyqësor, të parashihen kushte tjera për zgjedhjen e kryetarit, që pas reformës së bërë të bëhet përzgjedhja e duhur e kryetarëve dhe gjyqtarëve. Natyrisht, ai nxiton të zbatojë zgjedhje të caktuara që do të jenë mbulesë për kuadro të caktuar dhe për një politikë tjetër të caktuar gjyqësore – deklaroi Dane Iliev, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë.

Ministria e Drejtësisë sot njoftoi se do të krijojë një Këshill për monitorimin e reformave në drejtësi dhe një grup pune për të gjetur zgjidhje të reja ligjore, e gjithë kjo në kuadër të planit të veprimit të Qeverisë të quajtur 3-6-9. Ministri Bilen Saliji nuk komentoi se si përzgjedhja e gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatave do të ndikojë në zbatimin e reformave të paralajmëruara. Ai tha se nuk është i informuar zyrtarisht për seancën e Këshillit Gjyqësor.

Gjyqtarët Ivan Xholev dhe Vladimir Pançevski i cili katër vjet e drejtoi gjykatën, ishin në garë të mëparshme për postin e kryetarit të Penales. Xholev njoftoi se do të presë rezultatet e rivlerësimit të gjyqtarëve, që ndërkohë duhet t’i bëjë Këshilli Gjyqësor dhe pastaj do të vendosë nëse do të kandidohet përsëri. Pançevski edhe sot nuk u përgjigj në pyetjen e Alsat M, nëse do të garojë sërish për pozitën e kryetarit. Ushtruesi i detyrës Kryetar i gjykatës më të madhe në vend tani është gjykatësi suprem Stojançe Ribarev. Ai në atë pozitë e zëvendësoi gjykatësen Tatjana Mihajllova.

Alsat-M

Shpërndaj me