Të pasurit pasurohen edhe më shumë, ndërsa të varfrit varfërohen. Kjo është pasqyra e Maqedonisë të cilën sot e prezantoi Ministria e financave, dhe e cila bazohet në analiza për të ardhurat mujore që i sigurojnë rreth 940 mijë banorë të cilët kanë ndonjë të ardhur. 775 personat më të pasur të vendit në vitin 2016 kanë fituar po aq para sa kanë fituar rreth 210 mijë banorët më të varfër të vendit. Madje 470 milionë euro apo 14% e të ardhurave të përgjithshme kanë përfunduar në xhepat e më të pasurve që janë diku 1%. Nga ana tjetër, gjysma e popullatës mezi ia dalin ta kalojnë muajin.

50% e njerëzve në Maqedoni që realizojnë të ardhura kanë më pak se 212 euro në muaj, 70% kanë nën 297 euro në muaj, 90% kanë të ardhura nën 495 euro. Nga ana tjetër 2% e njerëzve kanë të ardhura mbi 1044 euro, ndërsa 1% e njerëzve kanë të ardhura mbi 1523 euro- deklaroi Branimir Jovanoviq, këshilltarë në Ministrinë e Financave.

Të ardhura më të shumta që vitin e kaluar i ka realizuar një person janë 2.6 milionë euro, ndërsa mbi 1 milion euro kanë fituar 15 qytetarë. Jovanoviq pabarazinë në shoqëri e sqaron përmes shembullit të një fabrike.

Bëhet fjalë për një fabrikë tekstili e cila ka 377 të punësuar. 376 prej tyre kanë të ardhura mesatare mujore prej 140 euro, gjegjësisht 8500 denarë, ndërsa personi që ka të ardhura më të larta në këtë fabrikë fiton 73000 mijë euro në muaj dhe ky është një person i cili fiton më shumë sesa fitojnë të gjithë të punësuarit tjerë bashkë- shtoi Branimir Jovanoviq.

Ministri Tevdovski tha se këto të dhëna flasin mjaftueshëm për nevojën e heqjes së tatimit të sheshtë dhe të pasurit t’i paguajnë më shumë tatim shtetit sesa të varfrit.

Unë do ju jap një shembull nga këto të dhëna. Në Maqedoni 3% i më të pasurve fitojnë njëjtë sa fitojnë 50% i popullatës me tatim më të ulët- deklaroi Dragan Tevdovski, ministër i Financave.

Nga Ministria paralajmëruan se deri në fund të vitit do të dalin me propozim konkret për vendosjen e tatimit progresiv.

Mirko Trajanovski

Shpërndaj me