Katër vjet burg për Pançe Angellovin, i cili e tërhoqi flokësh Radmilla Sheqerinskën më 27 prillin e përgjakshëm në Parlament. Gjykata sot e shqiptoi vendimin duke marrë parasysh moshën e Angelovit. Megjithatë, në marrjen e vendimit, për gjykatën kanë mbizotëruar rrethanat; se vepra është bërë pa shkak dhe arsye, ndërsa sulmi ishte filmuar nga mediat, gjë që ka shkaktuar frikë dhe pasiguri në mesin e qytetarëve. Pançe Angelov, me qetësi dhe në heshtje e dëgjoi aktvendimin e Gjykatës Penale dhe arsyen pse u dënua katër vjet. Por, në dalje nuk u ndal për të dhënë deklaratë. Ai iku nga kamerat dhe lëshoi disa sharje.

Në sallën e gjyqit nuk erdhën, e dëmtuara Radmila Sheqerinska dhe Zoran Zaev, pasi nuk kanë obligim të marrin pjesë në shpalljen e aktgjykimit. Gjykatësi e njoftoi Pançe Angelovin se ka 15 ditë afat ta apelojë vendimin e Gjykatës themelore Shkupi 1, në Gjykatën e Apelit. Angelov mbrëmjen e 27 prillit ishte pjesë e turmës së dhunshme që hyri me forcë në Parlament dhe sulmoi deputetë. Nga video pamjet është përcaktuar se e ka tërhequr flokësh deputeten Radmilla Sheqerinska në momentin kur ajo përpiqet të largohet nga qendra për shtyp. Deri në hyrjen në fuqi të aktvendimit, Angelov do të duhet të paraqitet në gjykatë një herë në javë, sepse i janë shqiptuar masa të kujdesit. Vepra penale për dhunë, për të cilën ai u dënua parashikon prej 3 deri në 10 vjet burg.

Bojan Stojanovski

Shpërndaj me