Pas tenisit, do të fokusohem te futbolli”, kështu është shprehur së fundmi Andy Murray, i cili ka befasuar jo pak me dëshirën e tij për t’u marrë me trajnim në një kohë kur karriera e tij të jetë përmbyllur. 29-vjeçari numri një i botës së tenisit dhe 3 herë fitues i Grand-Slameve, ka rrëfyer në një intervistë ekskluzive për “The Times”, se dëshiron të provojë e të bëhet trajner futbolli. Në fakt Murray ka një histori futbolli në familje. Gjyshi i tij, Roy Erskine, ka qenë një nga futbollistët kryesorë të skuadrës së Hibernian në vitet 50-të. Si skocez ai mbetet një tifoz i Hibernian, ndërkohë që në moshë të vogël ka pasur si mundësi të angazhohej me blutë e Glasgow Rangers, mundësi që ai e pati refuzuar me dëshirën për t’u marrë vetëm me tenis. Pasi përmbushi ëndrrën për t’u bërë numri një i tenisit botëror, Murray e deklaroi hapur se synimi kryesor mbetet qëndrimi sa më shumë në majë, por kjo duket të jetë e vështirë, sidomos kur rival është një emër i madh si Novak Djokovic. Gjithsesi ai nuk e heq vëmendjen nga e ardhmja. “Do të doja shumë që të provoja një eksperiencë si trajner futbolli, por sigurisht jo menjëherë pasi ta kem mbyllur karrierën si tenist, sepse si fillim dua që të kaloj pak kohë me familjen.” – tha Murray. Skocezi pas një viti fantastik ku u shpall dhe sportisti britanik i vitit, së fundmi u vlerësua me titullin kalorësiak duke marrë nderimin “Sir”. Duke folur për këtë pjesë Murray u shpreh se është një përgjegjësi e madhe, për të cilën ai qe menduar shumë përpara se ta pranonte për faktin se i druhej shpërqendrimit që mund t’i shkaktonte në aktivitetin sportiv.

Shpërndaj me