Policia greke tha se rreth një ton marijuanë është gjetur nga autoritetet doganore greke në Pikën kufitare të Kakavijës, më e madhja që lidh Shqipërinë me Greqinë.

Lënda narkotike u zbulua gjatë një kontrolli të kryer në një kamion që kishte hyrë nga Shqipëria. Sipas policisë greke brenda mureve të dyfishta të kamionit shqiptar, një qen i trajnuar posaçërisht zbuloi sasinë e madhe, prej rreth një ton marijuanë.

Burimet kufitare thanë se shoferi me të pikasur kontrollin u hodh në anën shqiptare të kufirit, por policia shqiptare nuk ka dhënë ende hollësi për ngjarjen dhe zonën ku mund të jetë ngarkuar marijuana. Sasi të mëdha marijuane janë zbuluar ditët e fundit në anën greke të kufirit me Shqipërinë.

Pas bllokimit të rreth 2 tonëve marijuanë në brigjet e ishullit grek të Korfuzit rreth gjysëm tonë marijuanë u zbuluna në dy raste në qytetin port të Patras dhe në zonën e Gumenicës.

E gjithë lënda narkotike e kultivuar në Shqipëri verën e vitit të shkuar po transportohet drejt vendeve europiane përmes porteve greke me kamionët tregëtarë apo me mjete të tjera të vogla. Nga hetimet e policisë greke pas Italisë një tjetër destinacion i drogës shqiptare kohët e fundit është Hollanda.

Shpërndaj me