ZV ministri i Arsimit premton rikonstruimin e çatisë së shkollës fillore Liria në Tetovë deri në fillim të shtatorit. Ndërkohë që fajin për ndërprjen e punimeve e adreson deri tek projektanti i cili sipas tij nuk i ka parashikuar të gjitha pengesat që mund të paraqiteshin gjatë rikonstruimit.

Kanë dalë punë të paparashikuara që projektuesi nuk i ka paraparë, dhe çdo punë shtesë ka edhe sekuenca, bart materiale, kështu që bashkërisht deri në fillim të javës së ardhshme do ta përmbyllim dhe punimet do të vazhdojnë. Prej kornizës që e kemi paraparë që të përmbyllet si projekt rekonstruimi në atë shkollë, mund të ketë më së tepërmi vonëse dhjetë ditëshe – tha Visar Ganiu, zvministër i Arsimit i Maqedonisë.

Edhe nga komuna e Tetovës, presin që kah fillimi i vitit shkollor të përfundojnë punët e parapara nga Ministria e arsimit, që më pas të mund të hapet tenderi për rikonstruim të shkollës në tërësi.

Sa i takon investimeve nga ministria e Arsimit ata para fillimit të vitit shkollor duhet ta përfundojnë me investimin që të mund komuna të fillojë me shpalljen tjetër publike, që është rinovimi i tërësishëm i objektit – u shpreh Armend Fazliu, shef i kabinetit të Teuta Arifit.

Sipas informatave tona në këtë shkollë fillore që prej 74 vitesh nuk është bërë asnjë investim.

Bashkim Sulejmani

Shpërndaj me