Nxënësit e Shkollës Fillore “Liria” në Zhitoshë të Dollnenit rrezikojnë të ndërpresin procesin mësimor, si mungesë e energjisë elektrike dhe rrezikut për transportin e tyre. Shkolla ka mbi 100 mijë euro borxhe ndaj kompanive të ndryshme. Përderisa nxënësit përballen me probleme reale, komuna dhe Ministria e Arsimit përplasen mes vete për përgjegjësinë.

WC-të nuk kanë dyer, kur unë kam nevojë më duhet të shkoj deri në shtëpi. Nuk kemi sallë sportive, dritaret janë të thyera, energji elektrike nuk ka, asgjë nuk ka nga kjo shkollë, nuk e di se çfarë do të bëjmë- thotë Lavdrim Memedi, nxënës.

Me pak fjalë por shumë mllef, Lavdrimi 10 vjeçar para kamerës së Alsat M shpjegon vështirësitë që has me të ardhur në shkollë. Tash pesë muaj Shkolla Fillore”Liria” Liria në Zhitosë të Dollnenit është e ç’kyqur nga rrjeti elektrik, si pasojë e mos pagesës së faturave. Borxhi i përgjithshëm i Shkollës ndaj EVN-së dhe kompanive tjera për transportin e nxënësve arrin në 100 mijë euro. Kompanitë që transportojnë nxënës kanë kërcënuar se nëse për një periudhë të shkurt nuk i marrin të hollat që u takojnë, nuk do i shërbejnë më shkollës Liria. Për shkak të kushteve jo adekuate, mirëmbajtja e higjienës në ketë objekt është e pamundur. Por ajo që me të vërtetë po i tangon tani mësimdhënësit dhe udhëheqësit e shkollës është mungesa e energjisë elektrike.

Në këtë shkollë nuk kemi kushte elementare, nuk kemi as rrymë për gati 5 muaj. Siç po i shihni edhe vet as kompjuterët nuk funksionojnë ndërsa inspektorati na dënon pse nuk shkruajmë në ditarë elektronik- tha Lavdrim Jusufi, arsimtar.

Po e kemi shpjeguar, por edhe nga Komuna vijnë në një konstatim se Ministra e Arsimit nuk lëshon shumë të mjaftueshme të bllok-dotacioneve që ne të mund t’i bëjmë këto pagesa- deklaroi Isuf Sinani, drejtor i sh.f. Liria.

Komuna e Dollnenit shfajëson veten duke fajësuar Ministrinë e Arsimit për lëshimin bllok-dotacioneve të dobëta.

Komuna ballafaqohet me probleme serioze, mjetet janë shumë të vogla për të funksionuar shkollat. Disa herë komuna me rebalanc të buxhetit ka intervenuar për pagesën e borxheve të shkollave por nuk është e mjaftueshme. Vetëm ne 3 muajt e fundit nga bllok-dotacionet nuk mund t’i plotësojmë harxhimet elementare për shkak se për 7 shkollat fillore në një muaj nga MASH arrijnë 400,000 denar për udhëtim dhe mirëmbajtje të gjithë shkollave, kurse vetëm shkolla Liria në muaj ka harxhime mbi 500,000 denarë për transportin e nxënësve. Ky problem është në të gjitha shkollat fillore. Është e vërtet se së shpejti do të lëshohet rryma faturat do t’i paguaj komuna- bëjnë me dije nga Komuna e Dollnenit.

Nga Ministra e Arsimit thonë se bllok-dotacionet lëshohen në mënyrë proporcionale me numrin e nxënësve. Ndërsa thuan se është komuna institucioni që duhet të menaxhojë me ata fonde.

Problemet e njëjta me 300 nxënësit e shkollës Liria, i përjetojnë edhe nxënësit e Gjimnazit të Zhitozhës.

Besian Leka

Shpërndaj me