Nënkryetarja e LSDM-së Radmilla Sheqerinska zbulon për herë të parë zyrtarisht se VMRO DPMNE ka tentuar dhe tenton amnistinë, me sinjale të dërguara herë pas here në adresë të LSDM-së. Sheqerinska, në emisionin “Rruga drejt..”, theksoi se pavarësisht propozimeve konkrete për amnisti, ato nuk do ta zgjidhnin krizën politike. Sheqerinska nuk dha shumë detaje për propozimet për amnisti, të cilat kishin filluar që para një viti nga koha e faljes së presidentit Ivanov, por tha se qëllimi ka qenë i shpëtimit të kokave të një grupi të vogël zyrtarësh në VMRO.

Gjatë muajve të kaluar kemi marrë sinjale se nëse i gjendet zgjidhje problemit të përndjekjes, atëherë të gjitha vendimet e tjera do të ishin më të lehta. Ajo që vinte te ne si informatë, ishte se bëhet fjalë për disa persona kyç, për shkak se për të tjerët mendojnë se janë dëm anësor. Ju kujtohet biseda mes Nikolla Gruevskit dhe Janakievskit. Atyre nuk iu bëhet vonë për disa nëpunës shtetëror që do mbahen përgjegjës për diçka. Ajo për të cilën besoj se janë të interesuar, është t’u ofrohet siguri njerëzve të parë dhe personave që mund të implikojnë zyrtarët e parë të VMRO-së. Por them se me këtë, nuk do të kenë dobi as Maqedonia, as qytetarët dhe as që do të kemi zgjidhje të krizës – deklaroi Radmila Shekerinska Nënkryetare e  LSDM-së.

E pyetur për takime të mundshme të fshehta mes Gruevskit dhe Zaevit, Sheqerinska tha se kreu i saj nuk ka pse të takohet me Nikolla Gruevskin. Ajo i mohoi zërat për takim disa ditë më parë me liderëve, duke shtuar se këto informata burojnë nga qendra propaganduese e VMRO DPMNE-së dhe kanë për qëllim përçarjen e shumicës parlamentare.

Praktikisht, ne tërë kohës kemi kontakte me kolegët e grupeve të tjera parlamentare, por takime zyrtare ose të fshehta mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së nuk ka pasur. Mendoj se propaganda e VMRO DPMNE-së në disa raste dëshiron të lëshojë fluska testuese të opinionit, të tilla me qëllim që të krijojnë një dozë mosbesimi mes partive pjesë të shumicës parlamentare, por edhe mes LSDM-së dhe opinionit. Për çfarë duhet të negociojmë ne me VMRO – DPMNE-në? Për diçka që është princip themelor në demokraci, për atë se kur i humb zgjedhjet duhet të lërë pushtetin? –tha Shekerinska.

Alsat dërgoi pyetje edhe në VMRO DPMNE, për të konfirmuar ose hedhur poshtë zërat për komunikim të mundshëm mes Gruevskit dhe Zaevit, zëra këto që një ditë më parë, dolën edhe nga goja e BDI-së. Në emisionin “200”, deputeti i BDI-së Rexhail Ismaili tha se BDI ka informata të sigurta për takim sekret mes dy krerëve të partive kryesore maqedonase.

Po e shpalosim se kemi informacione të drejtpërdrejta se megjithatë, Zoran Zaev dhe Nikolla Gruevski kanë takime, takime direkte dhe të drejtpërdrejta – tha Rexhail Ismaili, deputet i BDI-së.

Zëra për takime ka edhe në frontin tjetër, mes Gruevskit dhe Bilall Kasamit të Besës, por nga partia shqiptare thanë për ALSAT se nuk ka asgjë të vërtetë. Takimet eventuale interpretohen në opinion si një tentativë për zgjidhjen e krizës politike, pasi deri më tani, në 15 ditë të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, ende nuk ka shpresë për zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit dhe zhbllokimin e proceseve demokratike. Në pikëpyetje mbetet vazhdimi i mandatit të krerëve të komunave si dhe fati i Prokurorisë Publike Speciale.

Blerim Ismaili

 

Shpërndaj me