Përfaqësuesja e Kosovës edhe pas tre herë që ishte në disavantazh, arriti që në çastet e fundit të fitojë miqësoren ndaj Letonisë me rezultat 4 me 3. Selektori i Kosovës, Muharrem Sahiti, gjatë konferencës për gazetarë pas ndeshjes, tha se fitorja ishte e madhe, por e mundimshme. Sipas tij, lojtarët kanë qenë të ngarkuar në mungesë të fitores deri më tani, ndërsa fitoren e madhe ia dedikoi ish selektorit Albert Bunjaki.“Një fitore vërtetë e madhe, por e mundimshme pak. Nuk luajtëm edhe shumë mirë, por e rëndësishme është fitorja. Disa momente i patëm jo të mira, ndryshuam, por sidoqoftë ju e patë gëzimin e lojtarëve kur kanë shënuar golin e katërt. Kjo tregon se në çfarë ngarkese psikologjike kanë qenë këta lojtarë, pa fitore. Fitorja është e madhe, por unë nuk dua të marr merita. Meritat janë për futbollistë. Ka qenë një projekt i gjatë që është punuar shumë. Meritë është e asaj pune që është bërë me Albert Bunjakin dhe në këtë rast unë ia dedikoj fitoren atij”, ka thënë Sahiti.Në anën tjetër, përzgjedhësi i Letonisë, Aleksandr Starkovs, ka sqaruar se ndeshja e sotme ka qenë nga të dy palët e mirë, e fortë dhe interesante.“Ç’të them, ne sot ishim humbës dhe për ju ishte mirë. Nga të dyja ekipet ndeshja ishte e mirë, e fortë dhe interesante. Nuk jam i kënaqur me lojtarët tanë, sidomos me sulmin, dhe kjo do të na shërbejë në të ardhmen”, ka thënë Starkovs, raporton KosovaPress.

Shpërndaj me