Qeveria po përgatit Rregullore me të cilën do t’i jepet fund shpenzimit të pakontrolluar të parave shtetërore. Me këtë Rregullore duhet të përcaktohet çfarë duhet të paguajnë funksionarët me kartelën zyrtare pagesore ose me faturë, dhe për çfarë duhet ta zgjidhin qesen e tyre.  Sipas disa revizorëve me këtë rregullore do t’i jepet fund shpenzimit të papërgjegjshëm të parave të qytetarëve.

Të jepen korniza të qarta me Rregullore deri ku mund të shkojnë zyrtarët, madje edhe në kompanitë private vetë të vendosin korniza deri ku mundet të shkojnë me shpenzime.Sidomos këtu përsëri është e rëndësishme që të ketë, sepse bëhet fjalë për para nga buxheti dhe financa publike – deklaroi Borislav Atanasovski, Instituti i Revizorëve të Autorizuar.

Ish anëtari i Komisionit kundër-korrupsionit Arif Musa thotë se kjo rregullore është dashur të miratohet shumë më herët, me çfarë praktikisht do t’u pamundësohej zyrtarëve të hanë dreka të shtrenjta në kurriz të qytetarëve.

Nga Enti Shtetërore i Revizionit, edhe pse në të kaluarën kanë pasur shumë vërejtje ndaj shpenzimit të parave shtetërore, për këtë Rregullore nuk kanë qëndrim. Edhe pse kërkuam nuk morëm përgjigje nëse me këtë Rregullore do të reduktohen vërejtjet për shpenzimin e parave nga ministritë dhe ndërmarrjet publike. Në të kaluarën, publiku mësoi se si zyrtarë shtetërorë kanë shpenzuar mijëra euro në dreka mbretërore ku ka pasur rosa të pjekura, akullore të skuqura, mish dreri i zier, kallamar, karkaleca deti dhe janë ngrënë bajame dhe lajthi të shtrenjta. Përveç kësaj, kanë paguar edhe për hotele me pesë yje, por edhe shërbime të taksive jashtë orarit të punës, por deri më tani nuk ka pasur sanksione kundër askujt.

Verica Pavlloska

Shpërndaj me