Me 3.2 milionë euro qeveria do të mbulojë anulimin e taksës radiodifuzive për tremujorin e fundit të vitit. Këto para janë siguruar pas rishikimit të buxhetit. Ministri i Komunikimeve, Llogaridhënies dhe Transparencës, Robert Popovski për Alsat M shprehet se gjatë viteve RTVM-ja ka funksionuar me shumë borxhe dhe tani janë duke u përgatitur analiza për të përcaktuar saktësisht se sa para do të mjaftojnë për financimin e qëndrueshëm të servisit publik.  Dejan Georgievski nga Qendra për zhvillimin e mediave nuk beson se paratë e parashikuara me rishikimin të mjaftojnë për RTVM-në.

Duhet të bëjmë analizë serioze, nga një organ i pavarur të cilin do ta emërojë Parlamenti që do t’i vlerësojë nevojat se çfarë sistemi të servisit të radiodifuzionit duam, cilat programe duhet t’i ketë, sa kanale, sa të punësuar, cilat janë nevojat për pajisje të re, si dhe për amortizimin e pajisjes. Të gjitha këto norma duhet doemos  të hyjnë në këtë analizë, të shohim se sa na nevojiten. Ndoshta duhet shqyrtuar shembujt në ato shtetet që e ndërruan taksën e radiodifuzionit me një lloj takse tjetër – deklaroi Dejan Georgievski, QZHM.

Si shembull, Georgievski e përmendë Finlandën, e cila vendosi tatim i radiodifuzionit të paguhet në tatimin e të ardhurave, apo Gjermania e cila ka një lloj vetëkontributi të radiodifuzionit që e paguajnë të gjithë qytetarët.

Servisi publik i radiodifuzionit te ne është i nënfinancuar për një kohë të gjatë. Taksa e radiodifuzionit e tillë siç është nuk mjafton për të siguruar vetë financimin. Në shumë shtete e kanë zgjidhur këtë me kombinim, me mjete nga taksa e radiodifuzionit me dotacione buxhetore, një pjesë me financim nga shitja e reklamave dhe lloj tjetër të punës komerciale. Por pjesa komerciale momentalisht te RTVM-ja është thuajse e parëndësishme dhe nuk ndikon në asnjë mënyrë në tregun e radiodifuzionit – tha Dejan Georgievski, QZHM.

Ndonëse TVM-ja paraqitej në listën e DAP-it në mesin e borxhlinjve më të mëdhenj ndaj shtetit, qytetarët që nuk paguajnë taksën e radiodifuzionit përballeshin me llogari të bllokuara bankare ose pagesë të detyrueshme përmes përmbaruesve.

Alsat-M

Shpërndaj me