Tre të akuzuarit për rastin e Kumanovës që kanë dëshmuar sot i kanë thënë gjykatës se në Maqedoni kanë hyrë të përshpejtuar procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Fadil Elshani, Esat Kafigjolli dhe Adrian Bujari, thanë para trupit gjykues se nuk ndjehen fajtor për zhvillimet në Lagjen e Trimave. Fadil Elshani sqaroi se më 26 prill  të 2015 është ftuar nga tashmë i ndjeri Xhafer Zumberi për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve të Maqedonisë. Më tej ai ka bërë të ditur se në territorin e Maqedonisë ka hyrë në natën mes 1 dhe 2 majit dy vite më parë  ndërsa gjatë qëndrimit në fshatin kufitar Bellanocë ka takuar edhe Mirsad Ndrecajn për të cilin thotë se është takuar tre perona në një veturë të zezë. Elshani thotë se Ndrecaj nuk është ka informuar për çka kishte biseduar Ndrecaj me tre personat e panjohur nga Maqedoni.

 Nuk ndjehem fajtorë, ne jemi ftuar nga presona të Maqedonisë, ata nuk janë para drejtësisë ndërsa ne jemi këtu në burg, ne jemi malltretuar  pa masë dhe askush nuk mban përgjegjësi për atë, unë kërkoj që kjo gjykatë të zbardhë këtë rast dhe të shihet se kush na ka sjellë këtu – deklaroi i akuzuari Fadil Elshani.

I akuzuari tjetër Esat Kafegjolli tha se atë e ka ftuar i ndjeri Arben Rexha i cili u vra gjatë luftimeve në Lagjen e Trimave. Sipas dëshmisë së Kafegjolllit, Rexha e kishte ftuar atë për të qenë pjesë e UÇK-së në Maqedoni dhe për të dal me një deklaratë përmes së cilës do të kërkonin implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe zbardhjen e rasteve të montuara kundër shqiptarëve. Në Maqedoni ai ka hyrë me 5 maj, ndërsa në lagjen e Trimave pak orë para se të fillonte përleshja e armatosur.

 Nuk kam ardhur për të luftuar , as nuk kam qenë i armatosur. Në Maqedoni kam ardhur për të drejtat e shqiptarëve , ndërsa pas arrestimit jam keqtrajtuar në mënyrë çnjerëzore  edhe para trupit gjykues – tha i akuzuari Esat Kafigjolli.

Njëri nga avokatët, Naser Raufi, tha se të akuzuarit përmes dëshmive po zbardhin të vërteten e ardhjes së tyre në Maqedoni, që sipas tij ishte dalje me një komunikatë për implementimin  e marrëveshjes së Ohrit.  Për keqtrajtimin e të akuzuarve mbrojtja do të vijojë të kërkojë përgjegjësi penale për ushtruesit e dhunës.

Arsye për ardhjen e tyre ne territorin e Republikës së Maqedonisë ka qenë mos implementimin  i marrëveshjes Ohrit. Këto të arrestuar  dhe të akuzuar janë keqtrajtuar edhe para gjykatëses në procedurën hetuese – tha avokati Naser Raufi.

Në seancën e ardhshme për rastin Lagja e Trimave, që do të zhvillohet më 9 mars pritet të dëshmojnë të akuzuarit Shefqet Kallaqi, Lirim Demiri  dhe Hajrush Avdija . Deri më tani kanë dëshmuar tetë të akuzuar.

 Senat Zylbehari

Shpërndaj me