Presidenti shqiptar Ilir Meta ka dekretuar të gjithë ministrat e rinj të kabinetit qeveritar të drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Në fjalën e mbajtur Meta vuri theksin në zbatimin sa më të shpejtë të reformës në drejtësi dhe bashkëpunimin e ngushtë midis mazhorancës dhe opozitës për reformat kyçe.

Si president i Republikës, dua të theksoj rëndësinë e jashtëzakonshme për përshpejtimin e reformës madhore në drejtësi, në mënyrë që të krijohet sa më shpejt institucionet e reja në drejtësi, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Integrimi evropian është aspiratë kombëtare, ndaj besoj që mazhoranca dhe opozita do të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin e këtij objektivi të përbashkët madhor dhe për përmbushjen e gjithë reformave kyçe me qëllim çeljen e negociatave për anëtarësimin sa më shpejt që të jetë e mundur- deklaroi Ilir Meta President i Shqipërisë.

Paraprakisht Qeveria “Rama2” mori dritë jeshile edhe nga shumica e deputetëve. Por në debatin e fundit në Kuvend kryeministri shqiptar Edi Rama i kërkoi kreut të opozitës Lulzim Bashës që të bashkëpunojnë për integrimin e vendit në BE. Ai kërkoi nga Basha që të pranojë me kurajë këtë sfidë.

Ftesës së kryeministrit Rama, kreu opozitës iu përgjigj në mënyrë të prerë. Basha tha se marrëveshja e 18 majit me Ramën nuk funksionon më.

Kabineti i ri qeveritar ka 14 ministra, shumë më i vogël në numër se kabineti i shkuar i qeverisë “Rama 1”. Ndërkohë, është zbardhur edhe rendi i ditës i mbledhjes së parë të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Ashtu sikurse është paralajmëruar më herët nga vetë Rama, vendimi i parë do të jetë shpallja e vitit 2018 si vit i Skënderbeut, ku edhe do të ngrihet një komision i posaçëm. Gjithashtu, do të miratohet procedura e përzgjedhjes së kandidatëve të komisionit të prokurimit publik, do të miratohen rregullat për përfitimin e shërbimeve publike elektronike, si dhe dhënia e dy godinave për ngritjen e organeve të reja të Vettingut.

Vjollca Aliti 

Shpërndaj me