Rally Albania është një nga ngjarjet sportive më tradicionale në Ballkan, shkruan ATSH.

Organizatori i Rally Albania, Edvin Kasimati, që prej vitit 2006, ia ka arritur ta zhvillojë këtë garë të rëndësishme në zemrën e gjelbër të Evropës Juglindore. Si fillim, kanë garuar vetëm 40 pjesëmarrës, kryesisht shqiptarë, dhe më pas, në vitin 2011, eventi mori përmasa më të mëdha me pothuajse 200 garues dhe me një fluks më të madh ndërkombëtar. Megjithatë, organizatorët e eventit nuk ishin në gjendje të menaxhonin numrin në rritje të garuesve duke përjetuar një rënie të reputaciont, i cilësuar si një event i çorganizuar. Por, Kasimati ka punuar për përmirësimin e eventit duke shkëlqyer në vitin 2017 përmes përgatitjeve të detajuara që ofronin një hartë të rrugëve për pilotët përfshirë dhe shumë ndihma të tjera. Eventi sportiv, Rally përfshiu rreth 70 motoçiklistë që garuan për vendin e parë në shtatë kategori, së bashku me rreth 30 automjete në tre kategori: Jeeps, SSVs dhe Quads.

Ceremonia e hapjes e Rally Albania ishte një moment gëzimi si për vendasit ashtu edhe për pjesëmarrësit: duartrokitje, fëmijë të  buzëqeshur, fytyra të lumtura dhe kamera televizionesh. Diku tjetër do të ishte një garë rutinë amatorësh, ndërsa këtu është diçka e madhe. Pistat variojnë nga 100 në 500 kilometra, me disa më të gjata që gjithnjë ndjekin rrugë më të shkurtra. Kishte hapësira relaksi për garuesit, pavarësisht reputacionit si një nga garat rally më të vështira në Ballkan.

Pas fillimit të ceremonisë, garuesja Anastasia Nifontova më tregoi pak për jetën e saj. Rusja ka qenë aktive në garat me motora që prej vitit 1999. Në 2015, ajo përfundoi me sukses garën Eko Afrikane, në 2016 garoi në Rally Albania me një motor garash ”Enduro” me dy cilindra dhe këtë vit ishte në Dakar. Ajo jeton në Moskë me partnerin e saj, së bashku me dy fëmijët e saj dhe ka një dyqan veshjesh sportive KTM dhe ”Husqvarna”. Por, edhe profesionistët janë vulnerabël ndaj lëndimeve. Natën e xhiros së parë prej 380 kilometrash, u ktheva në kamp pas një ditë të gjatë me shi, baltë dhe një sërë shkëmbinjsh. Këto kushte zakonisht janë lojra fëmijësh për Anastasian, por në një dalje në fund të pistës, një nga drejtuesit e makinave shqiptare u kthye në mes të rrugës pa ndezur sinjalet. Në pamundësi për ta shmagur atë, ajo thyen një kockë pranë klavikulës duke shembur një brinjë dhe duke e përfunduar garën e saj, një fatkeqësi e vërtetë.

Megjithatë, po të kishte ndonjë mjet atje jashtë që nuk ishte i përshtatshëm për rrugët shqiptare me baltë, ky ishte ”Africa Twin”. Për Filosën nuk kishte rëndësi dhe ai thjesht e ngiste pa i kushtuar rëndësi rrapëllimës së motoçikletës. Ai e kishte ngarë atë në “Malle Moto” duke lëvizur nga gara në garë dhe duke planifikuar ture panoramike gjatë kohës së lirë në Itali. Kjo do të thoshte ta jetoje pasionin tënd në mënyrën më të plotë!

Bëra shumë përpjekje për t’u zgjuar në pesë e gjysmë të mëngjesit. Jashtë pothuaj kishte zbardhur dhe faza tjetër e rrugës gjarpëronte nëpër male për në Borsh, në brigjet e Mesdheut. Plazhi ishte i përshtatshëm për një ”bivuak”, një kamp të përkohshëm të ndërtuar jashtë pa tenda dhe ishte një oaz i qetësisë. Pajisjet për garën qëndruan aty për dy netë. Dita e fundit ishte më e gjata, na prisnin më shumë se 400 kilometra, ndërsa ne ishim tashmë të lodhur. Madje përpara se të arrinim në fazën speciale, motoçiklistët duhej të kalonin në fillim fazën e parë lidhëse prej 180 kilometrash, ku edhe rrugët “normale” ndërmjet fshatrave nuk ishin shtruar dhe ishin në gjendje të mjerë. Për mua kjo rezultoi në një gomë të pasme të rënë. Nuk ka problem, mendova, por më vonë nga balta më nxori një nga banorët lokalë për shkak të një problemi me një tub të brendshëm. E pyeta çfarë mund t’i jepja në këmbim të ndihmës që më dha dhe ai u përgjigj “Herën tjetër, hajde me mua për peshk.”

Dhe përsëri, përjetova një çast tjetër kur Shqipëria u rrit brenda meje.

Goma e rënë më mori ca kohë. Nëse doja t’i kapja shumicën e garuesve në film më duhej ta ngisja motoçikletën deri në fund duke filluar prej atje. Ashtu si dhe më parë, panorama më la pa frymë. Vetmia, qetësia dhe mungesa e gjumit më bënë të bie në ekstazë, ndërsa unë humba idenë e kohës kur prisja për garuesit me aparatin fotografik gati. Ndërsa u dëgjua zhurma e motorit, një gjëmim, pluhur… kuptova se Christian Pastori sapo kishte fluturuar. Në fund të një faze shumë të veçantë, takova Uwe dhe Dominik Detering. E njihnim njëri-tjetrin nga Maroku dhe ishte diçka e veçantë të shikoje dyshen baba-bir me atë pamje në garë. Pajisja navigatore elektrike e Uwe u dobësua gjatë garës dhe Dominiku i udhëhoqi përmes kopshtit të gurtë, ndërsa ata përballuan kushtet. Ashtu si gjithë të tjerët në garë, ata jetojnë aventurën e tyre të vogël, në atmosferën e miqve dhe familjes, në një vend të ngarkuar me kontraste, me një histori prekëse se të gjithë shpesh vuajtën me të padrejtë paragjykimet perëndimore.

Rrethi u mbyll në një podium në Tiranë. Duart u shtrënguan, grushtet u drejtuan nga qielli dhe trofetë u dhanë. Në kategorinë e motoçikletave të lehta fitues ishte Christian Pastori, pasuar nga Vasilis Boudros dhe Sebastian Kaluzny. Për motoçikletat e mëdha, i preferuari im, Ugo Filosa, duhej të hiqte dorë nga vend i parë që e zuri Roberto Baratelli. Por, ajo që kishte vërtet vlerë ishte shpirti i këtij eventi. Organizatori Edvin Kasimati e tha mirë se “Është e gjitha një aventurë kolektive për të gjithë në ndoshta parajsën më të mirë off-road të Ballkanit.”/  (Nga Bastian Brusecke)

Shpërndaj me