Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy konfirmoi sot se do të punonte që indipendentistët katalanas të humbnin në zgjedhjet rajonale, të parashikuara më 21 dhjetor si dhe bëri thirrje për një pjesëmarrje masive në zgjedhje.

“Ne do të punojmë që formacionet indipendentiste mos të fitojnë”, theksoi drejtuesi konservator në një intervistë për radion “COPE”, ndërkohë që partitë politike të Katalonjës po përgatisin këtë javë listat e tyre zgjedhore.

Këto zgjedhje bëjnë pjesë në masat e njoftuara nga qeveria spanjolle gjatë marrjes nën kontroll të Katalonjës, vendosur më 27 tetor pas shpalljes së pavarësisë nga Parlamenti katalanas, që u shpërnda menjëherë nga qeveria.

Rajoy bëri thirrje për një pjesëmarrje masive që partitë që mbështesin mbajtjen e Katalonjës në Spanjë të mund të mbizotërojnë.

Rajoy theksoi se këto zgjedhje ishin organizuar për të mundësuar ndalimin e aplikimit të nenit 155 të Kushtetutës, që mundëson marrjen nën kontroll të Katalonjës.

Shpërndaj me