Qeveria nuk do të heqë dorë nga posti i zv.drejtorit në Agjencinë Teknike Operative, organit që do të formohet për ndjekjen e përgjimeve, edhe pse një gjë e tillë është kërkuar nga Komisioni Evropian. Zv. Kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani konfirmon se grupi ekspert i KE-së ka kërkuar që Agjencia të ketë vetëm drejtor. Megjithatë Osmani zotohet se një ndryshim i këtillë në propozim-ligj nuk do të mbështetet nga ana e tyre.

E para për shkak ngarkesës së punës që imponon kjo Agjenci dhe do të duhet ndihmë, nga përvoja e Agjencive të tilla dhe e dyta për shkak të ndjeshmërisë të punës që ka kjo Agjenci dhe mendojmë se dy komunitetet duhet të përfaqësohen në këto pozita. Komisioni Evropian ka dhënë vërejtje në aspekt se kjo mund të keqinterpretohet si ndarje partiake e pozicioneve. Ne i kemi bindur dhe po i bindim ata se kjo nuk ka të bëjë me ndërhyrje partiake në emërimin e tyre për shkak se ata duhet të jenë profesionistë. Mendojmë se është me rëndësi që të dy pozicionet të përfaqësojnë të dy komunitetet – tha Bujar Osmani, zv.kryeministër.

Osmani përsërit se përfaqësimi etnik qoftë në pozitat udhëheqëse ose edhe në strukturat e brendshme është i domosdoshëm, si obligim kushtetues dhe që të mos lejohen burime të mos-besimit ndërmjet dy komuniteteve. Propozim ligji për ndjekjen e përgjimeve dhe ai për Agjencinë Teknike Operative është në procedurë parlamentare. Ai madje është edhe pjesë diskutimi e grupeve të punës mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë me reformat, por nuk ka informacione mbi mbarëvajtjen e këtyre diskutimeve. Propozimi parashikon që drejtori dhe zv.drejtori i Agjencisë të zgjidhen nga Kuvendi me 2/3 e votave, të jenë nga radhët e ekspertëve dhe të zgjidhen me kritere të njëjta. Krerët e dikasterit të Brendshëm disa herë janë shprehur të bindur që pas formimit të Agjencisë Teknike Operative, përgjimet nuk mund të keqpërdoren.

Fatlume Dervishi

Shpërndaj me