Rreth 130 mijë punëtorë nga muaji shtator do të marrin rrogë me vlerë prej 12 mijë denarë. Propozim ndryshimet për ligjin për rrogën minimale kaluan mbrëmë në Qeveri ndërsa së shpejti pritet të jenë edhe në rend dite në seancë parlamentare. Ideja është që me paratë e buxhetit të subvencionohet rritja e të gjitha rrogave që për momentin janë më të ulëta se 12 mijë denarë, pa marrë parasysh se për çfarë sektori bëhet fjalë. Nga Organizata e punëdhënësve mirëpresin këtë vendim dhe thonë se nuk do të shkaktojë probleme në punën e tyre.

Vlerësojmë se Ligji nuk do shkaktojë probleme më të mëdha gjatë implementimit të saj. Gjithashtu, Qeveria ka pranuar të formohet komision i cili do të punoj në zgjidhjen dhe përmirësimin e gjendjes të veprimtarive më intenzive të punës dhe ndërprerjen e procesit të deindustrualizimit në vend – tha Angel Dimitrov, Organizata punëdhënësve në Maqedoni.

Nga ana tjetër, analisti ekonomik Fatmir Bytyçi thotë se kjo është një masë e cila vjen si premtim parazgjedhor i partive në Qeveri. Ai shton se modeli i këtillë i subevencionimit të pagave nuk është i mirëfilltë për faktin se i bie çdo taksa paguesi të subvencionojë pagën e ndonjë tjetri që punon në sektorin privat.

Ajo që duhet këtu ta cekim dhe që mendoj që vazhdon të jetë vetëm një politikë populiste është që kjo rritje e pagës minimale tani, në këtë mënyrë se si është projektuar do e shohim se si do ta projektojnë në vitin 2018 bëhet me subvencionim të shtetit që zakonisht në ekonomi ne themi se nuk është model i mirfilltë kur shteti subvencionon pagën e punëtorëve në sektorin privat sepse, realisht ajo i prish disa relacione të cilat ne duam ti kemi të mirëfillta në ekonomi dhe biznesi ta mban barën e pagës ndaj atyre që gjithsesi kontribuojnë për rritjen e bizneseve të tyre – u shpreh Fatmir Bytyçi, analist ekonomik.

Për momentin, në Maqedoni rrogë më të ulët se 12 mijë denarë marrin rreth 130 mijë persona, që është 20% nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në vend. Ndërkohë më problematike paraqiten sektorët e tekstilit dhe lëkurës.

Melihate Rustemi

Shpërndaj me