Qeveria do ta anulojë tenderin për gazifikimin e Maqedonisë. Prej atje thonë se kanë marrë vetëm një ofertë dhe në përputhje me ligjin procedura do të anulohet. Në mënyrë që të vazhdojë procesi i gazifikimit, në mbledhjen e djeshme të qeverisë për shkak të dorëheqjes së Kryetarit të mëparshëm për procedura të tenderimit, si një zgjidhje e përkohshme në atë post është emëruar Ljupço Petkuqeski që është këshilltar i zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike Koço Angjushev.

Emërimi është një zgjidhje e përkohshme me detyrë të vetme pune finalizimi i procedurës së tenderimit. Ndërsa qeveria e Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e djeshme e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin mbi procedurën e tenderit për dhënien e kontratave për partneritet publik-privat për financimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit të shpërndarjes së gazit natyror në rajonet 1,2,3- thuhet në njoftimin e qeverisë.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, sot nga Triesta, tha se qeveria me përkushtim do të punojë në gazifikimin e Maqedonisë, me çka duhet të mundësohet klimë më e favorshme për investime, si për kompanitë vendase ashtu edhe për ato të huaja, si dhe energjisë së lirë për amvisëritë.

Do të punojmë në krijimin e një mjedisi të biznesit për kompanitë e shëndetshme dhe të suksesshme, dhe jo të krijohen kompani politike nga pushteti. Ndërtimi i infrastrukturës do të jetë prioritet, do të punojmë në ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe gazifikimin e vendit, dhe pikërisht me anë të infrastrukturës do të dëshmojmë se jemi të angazhuar fort për lidhje rajonale- deklaroi Koço Angjushev – zëvendëskryeministri për çështje ekonomike.

Gazifikimi i vendit njoftohet tashmë disa vjet dhe assesi të realizohet. Në të kaluarën, si dhe tani, disa herë rresht dështonin tenderët për gazifikimin e Shkupit dhe rajoneve të tjera në vend.

Në fazën e vlerësimit u anulua edhe tenderi i pestë për gazifikimin e rajonit të Shkupit për shkak se kompania e përzgjedhur kërkoi prolongimin e terminit. Për shkak të ofertës nga një kompani dështoi edhe tenderi për të ndërtuar një rrjet të shpërndarjes në 63 komunat e Maqedonisë lindore, Perëndimore dhe Qendrore. Për ndërtimin e gazifikimit në Maqedoninë qendrore dhe lindore ishte planifikuar të shpenzohen rreth 28 milionë euro, ndërsa për pjesën perëndimore të vendit së bashku me Pellagoninë 23 milionë euro. Rrjeti i shpërndarjes duhej të ndërtohet me partneritet publik – privat.

Verica Pavlovska 

 

 

Shpërndaj me